Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, këtë të hënë, do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Të enjten e ka përfunduar dëshminë e tij dëshmitari i 66-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Ky dëshmitar ishte me masa mbrojtëse.

Gjatë seancës të enjten, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, ka njoftuar se orari i dy seancave pasuese është paksa i pazakontë dhe në njërën prej këtyre planifikohet që të mbahet një diskutim për ecurinë e çështjes.

Smith III ka theksuar se ka mundësi që një gjë e tillë të ndodhë këtë të hënë gjatë seancës së pasdites.

Lexo edhe: Gjyqtari në Hagë “shërbehet” me dokument nga Google e jo nga ZPS-ja

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veslit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Seminishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.