Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të martë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në seancën e së hënës dëshmoi dëshmitari i 70-të, me kodin W03170, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Sipas përmbledhjes së lexuar nga […]
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë këtë të martë do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në seancën e së hënës dëshmoi dëshmitari i 70-të, me kodin W03170, i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Sipas përmbledhjes së lexuar nga përfaqësuesi i ZPS-së, prokuror James Pace, dëshmitari ishte anëtar i LDK-së, i cili ishte ndaluar së bashku me një person tjetër dhe janë rrahur.
“Dëshmitari 03170 ishte një anëtar i LDK-së që është arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një prej vendeve ku këta persona janë ndaluar, dëshmitari 03170, duart e tij dhe duart e një personi tjetër u lidhën dhe ata janë kërcënuar dhe janë rrahur”, ka thënë Pace, duke vazhduar më pyetje në sesion privat me arsyetimin për mbrojtjen e dëshmitarit.
ZPS për dëshmitarin e 70-të: Ishte anëtar i LDK-së i cili është kërcënuar dhe rrahur
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022, ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.















