Sot do të mbahet seanca gjyqësore për rastin “Banjska” ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Seanca është paraparë të fillojë nga ora 09:30 në Pallatin e Drejtësisë.

Të tre të akuzuarit përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjska të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë.

Seanca është vazhdim i asaj të hënës, ku dëshmitari me kodin “F1” ka dhënë dëshminë e tij në seancë të mbyllur.

Kjo u bë me propozimin e prokurori të çështjes, Naim Abazi, i cili ka theksuar se në rast të identifikimit, dëshmitarit i rrezikohet jeta.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.