Milan Radojiçiq vazhdon të qëndrojë si i arratisur në Serbi, por pasuria që dyshohet se jashtëligjshëm e ndërtoi ndër vite në Kosovë, ka nisur t’i rrëshqas nga duart.

Një ditë pasi u mor nën menaxhim villa e tij milionëshe buzë liqenit të Ujmanit, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar, ka vazhduar me veprime të tjera.

Të enjten, cak i institucioneve kanë qenë dy prona të tjera të Radojiçiqit, i cili kërkohet nga Interpoli për organizimin e sulmit terrorist në Banjskë.

“Me vendim të Gjykatës është marr një vendim gjykatë për konfisikm, ata dje kanë ardhur në villëne  Radojciqit, tek Ujmani është konfisuar e njëjta dhe është vënë në menaxhim te ASK-ja, është duke u bllombuar një banesë dhe restaorant Grey”, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë në veri, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se gjatë realizimin të këtyre detyrave nuk kanë pasur asnjë problem, dhe se të gjitha njësitet janë angazhuar për të asistuar zyrtarët e agjencisë.

Për fillimin e zbatimit të urdhërit ndalues me masë të përkohshme për pasurinë e paluajtshme, të lëshuar nga Gjykata në Prishtinë, njoftoi vetë ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu.

Ajo tregoi se automjetet e konfiskuara që u përdorën nga terroristët në Banjskë, tani e tutje do të shfrytëzohen nga Policia e Kosovës.

“Para pak kohësh, Agjencia për Konfiskim dhe Menaxhim të Pasurisë së Sekuestruar apo të konfiskuar ka pranuar vendimin e Gjykatës që ndërlidhet me konfiskimin e 31 mjeteve transportuese të cilat ndërlidhet me rastin që po hetohet nga Prokuroria Speciale, pra rasti Banjska. Pra janë 31 mjete transportuese të konfiskuara dhe të cilat Ministria e Drejtësisë ia ka dhënë në shfrytëzim Policisë së Kosovës për nevojat të cilat i ka”, ka thënë Albulena Haxhiu, Ministre e Drejtësisë.

Milan Radojiçiq, që kur kreu udhëhoqi sulmin në Banjskë ishte nënkryetar i Listës serbe, që nga paslufta ishte personi më i fuqishëm në veri të Kosovës.