Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sërish sot, nga ora 10:00, për të vazhduar seancën konstituive të Legjislaturës së nëntë.

Në rend dite është paraparë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, një proces ky që deri më tani ka hasur në pengesa për shkak të mungesës së konsensusit politik.

Në përpjekjen e fundit – që ishte hera e tretë – për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme nga shumica e deputetëve.

Ajo siguroi 57 vota për, 46 kundër dhe tri abstenime. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, konfirmoi se propozimi nuk kaloi dhe vendosi ndërprerjen e seancës.

Partitë opozitare kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre ndaj kandidaturës së Haxhiut, teksa Vetëvendosje ka bërë të ditur se nuk do të tërheqë kandidaturën e saj.