Vazhdon të heshtet aksidenti me fatalitet i shkaktuar nga sigurimi i Radojçiqit në Serbi
Meqë në Kosovë ka bërë shkelje të vazhdueshme të ligjit, përfshirë kryerje të sulmit terrorist, sapo të hyjë brenda territorit, gjëja e parë që e pret është arrestimi. Por, thyerje të ligjit Milan Radojçiq dhe anëtarë të grupit të tij dyshohet se po bëjnë edhe në Serbi, megjithatë organet e rendit nuk po veprojnë njëjtë […]
Meqë në Kosovë ka bërë shkelje të vazhdueshme të ligjit, përfshirë kryerje të sulmit terrorist, sapo të hyjë brenda territorit, gjëja e parë që e pret është arrestimi.
Por, thyerje të ligjit Milan Radojçiq dhe anëtarë të grupit të tij dyshohet se po bëjnë edhe në Serbi, megjithatë organet e rendit nuk po veprojnë njëjtë edhe me ta.
Më 21 mars të vitit 2025 u raportua për një aksident me fatalitet që kishte shkatuar vdekjen e nënës së një prej drejtuesve të policisë së Beogradit, e shkaktar i këtij aksidenti, sipas mediave në Serbi, ishte një anëtar i sigurimit të Radojçiqit.
Si menjëherë pas rastit që nuk u dhanë detaje dhe nuk pati ndonjë reagim institucional, heshtja është duke vazhduar akoma. Mediat në Serbi kanë raportuar për dyshime për manipulim të provave.
Aksidenti u shkaktua nga një automjet, i cili bënte pjesë në kolonën e sigurisë së Milan Radojçiqit.
Milosh Milenkoviq, 29-vjeçar nga Leposaviqi, i cili është një nga të akuzuarit për terrorizëm në Banjskë, po besohet të jetë shkaktari kryesor i këtij aksidenti.
Milenkoviq, pas aksidentit, u testua për alkool, ku doli negativ, por që nuk u testua për substanca të tjera dhe nuk është bërë ndonjë kontroll brenda automjetit, ose ndaj personave që ishin në të, raporton mediumi serb Radar.
Në aksident ka qenë i përfshirë edhe një automjet i tipit BMW X5, por shoferi i tij nuk është identifikuar.
Ky incident ka nxitur shqetësime për mungesën e transparencës për shkak të lidhjeve politike që kanë Radojçiq dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Prokuroria ka konfirmuar për mediumin serb se është hapur një hetim ndaj Milenkoviq për veprën e “krimeve të rënda kundër sigurisë publike”, dhe është urdhëruar një autopsi për të përcaktuar shkakun e vdekjes së viktimës.
Megjithatë, deri më tani, nuk ka pasur raport dhe asnjë informatë në lidhje me rastin dhe nuk ka pasur reagime nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë.
Sipas njohësve të sigurisë në Kosovë, kjo tregon fuqinë e Radojçiqit, i cili sipas tyre, shumë lehtë mund të jetë shkaktar i çfarëdo tensioni brenda dhe jashtë Serbisë.
“Veprimet e tij kriminale brenda territorit të Serbisë, po janë të paprekshme nga ana e organeve shtetërore të Serbisë. Edhe me këtë mund të themi që Radojçiq mund të kontrollojë dhe destabilizojë jo vetëm Kosovën, përmes grupeve dhe subjekteve të tij kriminale, por që mund të krijojë momentume të papërshtatshme edhe brenda Serbisë”, deklaroi Drizan Shala, Ekspert i sigurisë.
Radojçiq është në kërkim ndërkombëtar pas urdhrit të lëshuar nga organet e rendit në Kosovë si i dyshuar kryesor për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.















