Vdekja e 75-vjeçarit në Shtërpcë e natyrshme
Milazim Avdiun mbrëmë fqinjët e njoftuan për babanë i cili për shkak të problemeve shëndetësore po qëndronte i shtrirë në oborr. Me të marrë lajmin bashkë me familjarët, atë e nisën për në Spital. Përkundër se e dërguan në spital, 75 vjeçari Izet Avdiu nuk arriti të mbijetojë. Për këtë person të hënën në mëngjes […]
Milazim Avdiun mbrëmë fqinjët e njoftuan për babanë i cili për shkak të problemeve shëndetësore po qëndronte i shtrirë në oborr. Me të marrë lajmin bashkë me familjarët, atë e nisën për në Spital.
Përkundër se e dërguan në spital, 75 vjeçari Izet Avdiu nuk arriti të mbijetojë. Për këtë person të hënën në mëngjes u raportua se është rrahur për vdekje nga djali tij, raportime të cilat i kundërshton i biri Milazim Avdiu.
“Nuk e di papritur e “rroki” në zemër edhe ne me vëllaun shpejtë e shpejtë u munduam me makinë ta dërgojmë në Ferizaj. Por nuk mundëm me i’a shpëtuar jetën”, shpjegon i mërzitur ai.
Ai thotë se babai ka pasur probleme me zemër para disa viteve e të cilat të dielën në mbrëmje janë shfaqur përmes shtrëngimeve në gjoks. Edhe për nënën e tij është raportuar se dyshohet që është rrahur nga djali, pretendime për të cilat Milazimi ka po ashtu të njëjtën përgjigje.
“Nëna është liruar nga emergjenca por për momentin është në shtëpi. Por nëna është pa vetëdije për shkak të mërzisë”, tregon Avdiu.
Gjatë kohës sa ekipi i RTV Dukagjinit po qëndronte në fshatin Brod në Shtërpcë, të pranishëm ishin edhe policia. Megjithatë Policia në Ferizaj përjashton çfarëdo dyshimi për vdekjen e këtij personi.
„Në Qendrën Emergjente në Ferizaj, një person me inicialet I.A i moshës 75 vjeçar, është sjellë në gjendje jo të mirë shëndetësore nga familjarët e tij. Më pas, mjekët kujdestar pas tretmanit mjekësor, kanë konstatuar se i njëjti ka vdekur (vdekje natyrale). Sipas familjarëve viktima është gjetur nē gjendje të rëndë shëndetësore në shtëpinë e tyre. Në lidhje me këtë është informuar edhe Prokurori nga Prokuroria Themelore në Ferizaj dhe me vendim të tij është iniciuar shënim zyrtar. Nuk ka asnjë dyshim tjetër“, kanë thënë nga Policia Rajonale në Ferizaj. Edhe në Spitalin kryesor në Ferizaj e konfirmuan atë që thuhet në raportin e Policisë.















