(E përditësuar) Prokuroria Themelore e Gjakovës ka ndaluar për 48 orë dy të dyshuar në lidhje me vdekjen e dy punëtorëve të ndërtimit mëngjesin e sotëm.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Enis Gashi, ka konfirmuar për Dukagjinin se të ndaluarit janë investitori dhe punëkryesi i objektit ndërtimor, ku ndodhi rasti.

“Dy personat janë dërguar në Spitalin e Gjakovës pa shenja jete. Prokuroria po merr të gjitha masat dhe aktualisht, 2 persona janë të dyshuar dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Bazuar në provat që kemi aktualisht, Prokuroria do kërkojë caktimin e masës së paraburgimit. Bazuar në informata, dy personat janë investitori dhe punëkryesi”, ka deklaruar Gashi.

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka njoftuar se ata janë ndaluar për veprat penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse” dhe “Rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Hetimet për këtë rast po vazhdojnë, ndërkohë që Prokuroria ka paralajmëruar kërkesë për masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

Trupat e pajetë janë dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.