Inspektorati Qendror i Punës ka dhënë detaje lidhur me rënien e një krani në një vendpunishte në Prishtinë, ku një punëtor humbi jetën dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, aksidenti ka ndodhur gjatë montimit të vinçit (kranit) në vendpunishten e subjektit “Vëllezërit Asllani”.
Sipas njoftimit, subjekti në fjalë nuk kishte qenë i inspektuar më parë nga Inspektorati Qendror i Punës, pasi punimet ndodheshin ende në fazën fillestare të ndërtimit, përkatësisht në fazën e realizimit të themeleve.
Sa i përket shkakut të aksidentit, Inspektorati theksoi se është ende herët për të nxjerrë një konstatim përfundimtar, pasi rasti kërkon hetime dhe ekspertiza të mëtejshme për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes dhe përgjegjësinë lidhur me zbatimin e masave të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Inspektorët e Punës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke zhvilluar veprimet inspektuese në koordinim me institucionet kompetente.
Inspektorati Qendror i Punës ka shprehur ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe kolegët e punëtorit që humbi jetën, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë.