Një burrë 63-vjeç ka humbur jetën të dielën në Gjakovë, pasi dyshohet se iu përkeqësua gjendja shëndetësore teksa ndodhej në vendin e punës.

Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:45, në rrugën “Wesley Clark”, ku viktima ishte duke punuar si roje sigurie.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë për Dukagjinin se 63-vjeçari është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjakovës pa shenja jete, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

“Një mashkull i lindur në vitin 1962 është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë, ku është konstatuar vdekja e tij. Nga hetimet e para dyshohet se viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore në vendin e punës (ku ishte duke punuar si roje sigurie), në rrugën “Wesley Clark”, rreth orës 08:45”, thuhet në njoftimin policor.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për ekzaminim mjekoligjor.