Një 78-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në një aksident trafiku që ndodhi të martën në rrugën “Faik Konica” në Prizren.
Sipas Policisë, aksidenti është raportuar sot rreth orës 10:00, kur një automjet udhëtarësh ka goditur një biçiklist me pjesën e përparme të veturës.
Si pasojë e goditjes, biçiklisti, mashkull 78-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore. Në vendngjarje kanë dalë njësitet policore dhe ekipi emergjent, të cilët i kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas ai është transportuar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
Megjithatë, disa orë më vonë, 78-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e lëndimeve të marra.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit ngasësi i dyshuar është ndaluar në mbajtje policore, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi”, ka deklaruar Bytyqi.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, është duke zhvilluar hetime për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan deri te ky aksident me fatalitet.