Jahja Mustafa, babai i Sali Mustafës është ndara nga jeta këtë të enjte.

Organizata e Veteranëve të Luftës teksa ka bërë të ditur lajmin, ka shprehur indinjatën për refuzimin e Dhomave të Specializuara në Hagë që t’i mundësojnë Salih Mustafës një vizitë humanitare pranë babait të tij sa ai ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, njofton Dukagjini.

OVL-ja këtë vendim e konsideron si ‘johuman’ dhe shkelje e rëndë parimesh themelore të të drejtave të njeriut.

“Ky vendim i pashpjegueshëm dhe johuman përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe të çdo standardi minimal të humanizmit. Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në ndonjë proces gjyqësor. Refuzimi i një kërkese të tillë humanitare nuk ka as bazë ligjore dhe as morale. Mohimi i së drejtës për t’i qëndruar pranë prindit në momentet e fundit të jetës dhe për t’i dhënë lamtumirën e fundit është një akt që tejkalon çdo kufi të drejtësisë dhe e zhvesh procesin nga çdo ndjenjë njerëzore. Drejtësia pa humanizëm nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar”, thuhet në njoftim.

OVL-ja, mes tjerash, i ka shprehur ngushëllime familjes Mustafa, bashkëluftëtarëve të Calit dhe të gjithë atyre që e njohën Jahja Mustafën.