Vdes britaniku që mbahej peng nga ushtarët rusë
Britaniku Paul Urey, i cili luftoi përkrah ushtarëve ukrainasë, dhe që u kap nga separatistët rusë në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, transmeton “BBC“. “Presidium Network” ka bërë të ditur se familja e 45-vjeçarit është kontaktuar nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar. Tashmë, Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditur se po kërkon […]
Britaniku Paul Urey, i cili luftoi përkrah ushtarëve ukrainasë, dhe që u kap nga separatistët rusë në Ukrainë, ka vdekur në paraburgim, transmeton “BBC“.
“Presidium Network” ka bërë të ditur se familja e 45-vjeçarit është kontaktuar nga Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Tashmë, Mbretëria e Bashkuar ka bërë të ditur se po kërkon sqarime urgjente nga Ukraina dhe qeveria ruse mbi raportet për vdekjen e një punonjësi britanik.
“Ne po e ngrejmë urgjentisht këtë me aleatët tanë ukrainasë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme ruse”, ka thënë Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
“Ne vazhdojmë të jemi në kontakt të ngushtë me familjen”.
Pasi ishte akuzuar si mercenar, ai u kap rob së bashku me një burrë tjetër, Dylan Healy, gjersa po përpiqeshin të kryenin një mision shpëtimi humanitar, më 25 prill.
Dyshja po përpiqeshin të hynin në territorin e kontrolluar nga Rusia përmes një postblloku pranë qytetit juglindor të Zaporizhzhia, për të shpëtuar një grua me familjen e saj të bllokuar nga luftimet.
Nëna e Urey kishte thënë se ishte jashtëzakonisht e shqetësuar për mirëqenien e tij, sepse ai kishte diabet të tipit 1 dhe kishte nevojë për insulinë.
Zyrtarët nga DPR, të cilët po mbanin Urey-in, kanë thënë se ai vdiq në robëri më 10 korrik nga kushtet themelore shëndetësore dhe “stresi”.
Sipas Daria Morozova nga DPR, gjatë ekzaminimit të parë mjekësor të Urey në DPR, ai u zbulua se kishte diabet të varur nga insulina, dëmtim të sistemit të frymëmarrjes dhe veshkave dhe një sërë sëmundjesh të sistemit kardiovaskular.
Ajo tha se Mbretëria e Bashkuar nuk kishte siguruar furnizimet e nevojshme mjekësore përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
“Nga ana jonë, pavarësisht nga ashpërsia e krimit të supozuar, Paul Urey-t iu ofrua kujdesi i duhur mjekësor”, ka thënë ajo.
“Presidium Network” tha se Urey kishte kaluar më parë tetë vjet si kontraktor civil në Afganistan. Ai kishte jetuar në Leyland, Lancashire, përpara se të udhëtonte për në Ukrainë.
Morozova deklaroi se britaniku ishte gjithashtu në depresion për shkak të mungesës së interesit të vendit të tij.















