Ka vdekur në moshën 76-vjeçare aktivistja për të drejtat e njeriut dhe ish-deputetja Flora Brovina.
Lajmin për vdekjen e saj e kanë bërë të ditur familjarët.
“Me pikëllim të thellë në zemër njoftojmë familjarët, miqtë, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që e njohën dhe e deshën, se u nda nga jeta më e dashura jonë, DR. FLORA BROVINA”, thuhet në njoftimin e familjes.
Brovina ishte e burgosur politike, veterane të luftës së UÇK-së, deputete dhe nënshkruese të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
“Flora jetoi një jetë të mbushur me dashuri për familjen, për njeriun dhe për atdheun. Si mjeke u shërbeu njerëzve me përkushtim e dhembshuri; si poete na la fjalën dhe shpirtin e saj; ndërsa me veprën, qëndresën dhe humanizmin e saj la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe të shqiptarisë”, thuhet më tej në njoftim.
Ajo ishte poete, pediatre dhe aktiviste e të drejtave të grave.
Brovina është rritur në Prishtinë, ku vijoi edukimin fillor dhe më pas studioi mjeksinë.
Pas përfundimit të specializimit në Zagreb, ajo u kthye në Kosovë dhe për një kohë ka punuar si gazetare për “Rilindjen”.
Shumë shpejt pas kësaj përvoje, ajo u kthye në profesionin e saj, ku punoi për shumë vite në repartin e pediatrisë në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës.
Flora Brovina ka shërbyer si deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës për gjashtë mandate ndërmjet viteve 2001 dhe 2019