Një grua ka humbur jetën pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua më shumë se një muaj pas një aksidenti trafiku të ndodhur në Fushë Kosovë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, aksidenti kishte ndodhur më 5 qershor 2026, rreth orës 14:40, në rrugën “Nënë Terezë” në Fushë Kosovë.
Policia njofton se më 13 korrik 2026, viktimës i është përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe ajo është dërguar me autoambulancë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.
“Sot, më 13.07.2026, viktimës femër kosovare i është keqësuar gjendja shëndetësore dhe të njëjtën me autoambulancë e kanë sjellë në Emergjencë në QKUK-Prishtinë, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar”, thuhet në raportin e Policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë.
Rasti është cilësuar si “Aksident trafiku me fatalitet”, ndërsa hetimet lidhur me rastin vazhdojnë.