Vdes ish-presidenti i Pakistanit, Pervez Musharraf
Ish-presidenti pakistanez, Pervez Musharraf, ka vdekur të dielën si pasojë e një sëmundjeje të zgjatur në një spital në Dubai. Ushtria e Pakistanit dhe misioni i vendit në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan vdekjen e ish-shefit të ushtrisë, 79 vjeç, i cili u largua nga pushteti në vitin 2008. “Mund të konfirmoj se ai ndërroi […]
Ish-presidenti pakistanez, Pervez Musharraf, ka vdekur të dielën si pasojë e një sëmundjeje të zgjatur në një spital në Dubai.
Ushtria e Pakistanit dhe misioni i vendit në Emiratet e Bashkuara Arabe njoftuan vdekjen e ish-shefit të ushtrisë, 79 vjeç, i cili u largua nga pushteti në vitin 2008.
“Mund të konfirmoj se ai ndërroi jetë këtë mëngjes”, e ka konfirmuar për Reuters, Shazia Siraj, zëdhënëse e konsullatës së Pakistanit në Dubai dhe ambasadës në Abu Dhabi.
Shefat e ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore të Pakistanit, shprehën ngushëllime për vdekjen e tij, kështu ka thënë krahu i marrëdhënieve publike të ushtrisë.
Presidenti aktual i Pakistanit, Arif Alvi, ka shprehur ngushëllimet nëpërmjet një deklarate.
Ndërsa, një fluturim special do të bëhet për në Dubai, të hënën, për të sjellë trupin e Musharrafit në Pakistan për varrim.
Ish-gjenerali me katër yje, i cili mori pushtetin në një grushtshteti pa gjak në vitin 1999, mbikëqyri rritjen e shpejtë ekonomike dhe u përpoq të nxiste vlerat shoqërore liberale në vendin konservator mysliman.
Musharraf gëzoi mbështetje të fortë për shumë vite, kërcënimi i tij më i madh ishte nga Al Kaeda dhe militantë të tjerë islamikë që u përpoqën ta vrisnin të paktën tri herë.
Por, përdorimi i tij i ashpër i ushtrisë për të shuar disidencën, si dhe mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër al Kaedas dhe talebanëve afganë, përfundimisht çuan në rënien e tij.
I lejuar jashtë vendit për trajtim mjekësor, edhe pse u përball me një rast tradhtie në Pakistan, Musharraf fluturoi për herë të fundit në Dubai në vitin 2016.















