Ish-presidentja e Republika Srpskës, Biljana Plavshiq, e cila ishte deklaruar fajtore për përndjekje si krim kundër njerëzimit për rolin e saj gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, ka vdekur në Beograd në moshën 96-vjeçare, ka raportuar AP.
Plavshiq ishte një nga zyrtaret e larta të serbëve të Bosnjës që morën pjesë në zbatimin e marrëveshjes së paqes të Dejtonit, e nënshkruar në vitin 1995 për t’i dhënë fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Pas përfundimit të luftës, ajo shërbeu si presidente e Republika Srpskës.
Gjatë luftës së viteve 1992-1995, Plavshiq ishte pjesë e udhëheqjes politike të serbëve të Bosnjës. Ajo u konsiderua nga zyrtarë perëndimorë si më liberale se disa prej udhëheqësve të tjerë serbë të Bosnjës dhe, më vonë, u bë kundërshtare e presidentit të atëhershëm të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.
Në vitin 2000, Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, e akuzoi Plavshiqin për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për rolin e saj në fushatën për krijimin e një entiteti të veçantë serb në Bosnje.
Ajo u dorëzua vullnetarisht në vitin 2001 për t’u përballur me drejtësinë në Hagë dhe më vonë u deklarua fajtore për përndjekje si krim kundër njerëzimit. Në kuadër të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, akuzat e tjera u tërhoqën.
Pas dënimit të saj, gjykata e OKB-së tha se Plavshiq kishte shpërfillur raportet për spastrimin e gjerë etnik dhe se i kishte arsyetuar dhe justifikuar publikisht këto veprime.
Gjykata kishte vlerësuar gjithashtu se ajo ishte në dijeni se udhëheqësit kryesorë të serbëve të Bosnjës i kishin shpërfillur krimet, pavarësisht se kishin fuqinë për t’i parandaluar dhe ndëshkuar ato.
Plavshiq u dënua me 11 vjet burgim. Ajo u lirua para përfundimit të plotë të dënimit, në vitin 2009, pasi kishte vuajtur pjesën e kërkuar të dënimit.