Vdes në moshën 48-vjeçare aktori i “Dawson’s Creek”, James Van Der Beek

Aktori amerikan James Van Der Beek, i njohur më së miri për rolin kryesor në serialin e famshëm për adoleshentë “Dawson’s Creek”, ka ndërruar jetë në moshën 48-vjeçare, pasi ishte diagnostikuar me kancer të zorrës së trashë.

“Njeriu ynë i dashur, James David Van Der Beek, u nda nga jeta paqësisht këtë mëngjes”, thuhet në një deklaratë të familjes së tij, të publikuar në rrjetet sociale.

“Ai i përballoi ditët e fundit me guxim, besim dhe dinjitet”.

Van Der Beek ishte diagnostikuar me sëmundjen në gjysmën e dytë të vitit 2023, por lajmin e bëri publik vetëm në nëntor të vitit 2024. Ai ishte baba i gjashtë fëmijëve dhe vazhdoi të punonte edhe gjatë trajtimit.

Në një intervistë për Business Insider, aktori kishte treguar se fillimisht kishte vënë re ndryshime në funksionimin e zorrëve, një simptomë e zakonshme e këtij lloji kanceri. Pas ekzaminimeve, mjekët konstatuan se ai kishte kancer në fazën e tretë, që do të thotë se sëmundja ishte përhapur në nyjet limfatike përreth.

Sipas Cleveland Clinic, kanceri kolorektal zhvillohet nga rritje në shtresën e brendshme të zorrës së trashë dhe mund të përhapet nëse nuk trajtohet. Kjo sëmundje prek më shpesh burrat sesa gratë, ndërsa kontrollet e rregullta kanë ndihmuar në uljen e vdekshmërisë përmes zbulimit të hershëm.

Van Der Beek e kishte përshkruar momentin më të vështirë të trajtimit si ndjenjën e humbjes së identitetit. “Gjithçka që më përcaktonte – të qenit baba, bashkëshort, mbështetës i familjes – u ndal përkohësisht. Por mësova se jam ende i denjë për dashuri”, kishte thënë ai.

Pas diagnozës, aktori u angazhua në rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e kontrolleve shëndetësore, raporton BBC.

James Van Der Beek u bë një nga fytyrat më të njohura të televizionit në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000, duke interpretuar personazhin Dawson Leery në serialin “Dawson’s Creek”, i cili u transmetua nga viti 1998 deri në 2003, përkrah Katie Holmes. Ai luajti gjithashtu në filmin e njohur “Varsity Blues” (1999), si dhe në serialin “Don’t Trust the B–– in Apartment 23”, ku interpretoi një version fiktiv të vetes.

Së fundmi, ai kishte marrë pjesë në sezonin e 28-të të “Dancing with the Stars” dhe kishte një rol të ftuar në komedinë universitare të Prime Video, “Overcompensating”.

Shija e redaktorit

Nxënësit e Rahovecit e mirëpritën prezantimin e lektyrave nga “Dukagjini”

Fillim java, në Rahovec për dhjetëra nxënës të ciklit të ulët të shkollave fillore solli më të dashurit për ta, personazhet të cilat shumica...

E jashtëzakonshmja Distria Krasniqi, ia sjell Kosovës medaljen e artë...

Xhudistja Distria Krasniqi e ka fituar të artën në Grand Slam të Parisit në kategorinë deri në 52 kilogramë. Krasniqi kishte një rrugëtim të gjatë...

Promovohet libri i ri i Luan Tashit mbi Ali Pashë...

Më 5 shkurt (e enjte), në orën 18:30, në Librarinë Dukagjini, në sheshin “Nënë Tereza”, do të promovohet libri më i ri i studiuesit...

Të fundit nga rubrika