Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur në orët e para të së dielës në Vushtrri.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti per Portalin Dukagjini ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur rreth orës 00:55 në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në fshatin Maxhunaj, ku është përfshirë një veturë.
Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Megjithatë, rreth orës 07:50, Policia ka pranuar njoftim nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës se drejtuesi i automjetit, një 22-vjeçar, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
“Përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit, viktima mashkull 22-vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”, ka njoftuar policia.
Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkohë, hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet që çuan në këtë aksident fatal.
