Një punëtor rreth 40-vjeç, me inicialet N.XH., nga Drenasi, ka humbur jetën të mërkurën pasdite si pasojë e një aksidenti në vendin e punës në Prizren.

Sipas informacioneve zyrtare nga Policia për Dukagjinin, rreth orës 12:45, viktima ka rënë nga një lartësi teksa po punonte në një kulm ndërtimi dhe ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Ai është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku më pas është konfirmuar vdekja e tij.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur veprimet hetimore, përfshirë marrjen e dëshmive nga personat e pranishëm.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e procedurës penale për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës.”

Si pjesë e hetimeve, janë intervistuar mbikëqyrësi i punimeve dhe investitori, të cilët janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.

Hetimet po vazhdojnë.