Vdesin dy persona nga aksidenti tragjik mes trenit dhe veturës, mungon sinjalistika
Treni po kalon me shpejtësi, mesditën e së dielës në Krushevë të Madhe të Klinës. Vetëm një natë më parë, treni la në këtë vend dy persona të vdekur. Në hapësirën ku ndodhi aksidenti, mungojnë shumë shenja të sinjalizimit. Edhe ato që janë, vështirë se vërehen gjatë mbrëmjeve. Nikollë Dodaj që e ka shtëpinë pak […]
Treni po kalon me shpejtësi, mesditën e së dielës në Krushevë të Madhe të Klinës.
Vetëm një natë më parë, treni la në këtë vend dy persona të vdekur.
Në hapësirën ku ndodhi aksidenti, mungojnë shumë shenja të sinjalizimit. Edhe ato që janë, vështirë se vërehen gjatë mbrëmjeve.
Nikollë Dodaj që e ka shtëpinë pak metra larg hekurudhës, bashkë me disa banorë nxorën trupat e pajetë të çiftit nga Deçani.
“Kur e kemi pa brenda ka qenë një person i vetëm, me apo pa shenja jete ne nuk kemi mujtë me e verifiku, mirëpo jemi mundu me ja dhënë ndihmën e parë. Me forcë jemi mundu me e nxjerrë prej veturës së tij dhe me vështirësi, sepse pozicioni ka qenë bukur i vështirë. Pastaj e kemi nxjerrë e kemi futë me një makinë timen,” tha Nikollë Dodaj – Banor i Klinës
Trupi i gruas, Dodaj rrëfen se u gjet tek më vonë.
“Pas gjithë asaj tragjedie që ndodhi, duke u marrë edhe me udhëtarët e trenit, pas 40 mintuash kemi hasur edhe në një kufomë tjetër këtu në këtë vendin afër. Do të thotë goditja e trenit që e ka kap veturën, me siguri prej presionit ka dal një kufomë tjetër e gjinisë femërore dhe e kemi marrë prej këtu, e ka marrë ambulance,” shtoi Dodaj.
Për shkak të mungesës së laurës, banorët e Krushevës çdo ditë rrezikojnë të aksidentohen nga trenat që qarkullojnë në këtë pjesë.
“Ju e patë që unë prita, e dita kohën e trenit, prita deri sa kaloj. Mirëpo, këtu ka qytetarë, ka njerëz që vijnë prej anëve tjera që nuk e dijnë kohën dhe orarin e trenit, siç ka ndodhë rasti me fatalitet mbrëmë, dy të vdekur. Edhe nuk ka mbrojtës dhe barriera. Është diçka që nuk tolerohet,” u shpreh Anton Palushaj – Banor i Klinës
Me rreziqe të njëjta, përballen edhe shumë fshatra të tjera të Klinës.
Qerim Nimanaj tregon se si një familjar i tij, disa vite me parë u aksidentua nga treni.
“Një familjar i imi ka qenë në veturë vet i gjashti, këtu e ka goditë treni dhe e ka gjujtë larg disa metra. Me zor e kemi nxjerrë nga vetura. Sot e atë ditë kanë trauma, janë shumë keq. Dhe është shumë rrezik për qytetarët tonë, sidomos për banorët e këtij fshati është shumë rrezik, për fëmijë gjithashtu,” tha një tjetër banorë I Klinës, Qerim Nimanaj
Sikur në disa prej fshatrave, treni kalon çdo ditë edhe nëpër qendër të Klinës.
Këtu janë të vendosura laurat, mirëpo qytetarët tregojnë se në disa raste ato janë jashtë funksionit.
“Këtu në Klinë i kemi dy mbrojtëse, mirëpo edhe këto në shumë raste ka se nuk punojnë janë jashtë funksionit shpeshherë… Kanë defekte teknike, ndalet rryma,” shtoi Zef Duhani.
Në një përgjigje të shkurtë përmes telefonit gjatë ditës, kryetari i Klinës, Zenun Elezaj tha se vendosja e laurave është përgjegjësi e Infrakosit. Këta të fundit, nuk janë përgjigjur për televizionin gjatë ditës.















