Presidenti Martti Ahtisaari ka vdekur sot në orën 06:40 në Helsinki në moshën 86-vjecare.
Martti Oiva Kalevi Ahtisaari shërbeu si president i Republikës së Finlandës në vitet 1994–2000. Ai ishte presidenti i dhjetë i Finlandës. Para Presidencës së tij, ai ka mbajtur disa poste të rëndësishme në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe në Kombet e Bashkuara.
Pas presidencës së tij, Ahtisaari themeloi organizatën e respektuar të ndërmjetësimit të paqes CMI – Martti Ahtisaari Peace Foundation dhe punoi në negociatat ndërkombëtare të paqes dhe detyrat e ndërmjetësimit. Në shenjë mirënjohjeje për punën e tij afatgjatë për paqen, presidentit Ahtisaari iu dha Çmimi Nobel për Paqe në vitin 2008.
“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte në njerëzit, qytetërimin dhe mirësinë, dhe ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave të ndryshimit, i cili e çoi Finlandën në epokën globale të BE-së”, ka thënë presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö.
Ahtisaari ishte ndërmjetësuesi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës.
Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, përpiloi një dokument – i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit – i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.
Ky plan rregullon një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.
Sot, ekzistojnë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe. Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi – përderisa katër të tjera, që i lidh territori, ndodhen në veri të tij – Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.
Ky dokument ka shërbyer si bazë për hartimin e Kushtetutës së Kosovës, në të cilën komunitetet pakicë “diskriminohen pozitivisht”.
Për shembull, në Kuvendin e Kosovës, dhjetë vende parlamentare janë të rezervuara për komunitetin serb, ndërsa dhjetë të tjera për komunitetet e tjera që jetojnë në Kosovë. Serbët, po ashtu, kanë një vend të garantuar në Qeverinë e Kosovës.
Plani i Ahtisaarit mbron Kishën Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe pronat e tij, ndërsa më 2008, duke u bazuar në atë dokument, u miratua Ligji për zonat e veçanta të mbrojtura. Ky ligj siguron mbrojtjen e manastireve dhe kishave ortodokse, si dhe të objekteve të tjera fetare në Kosovë, dhe mbron vendet e tjera kulturore dhe historike, të cilat kanë rëndësi të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.
Ekziston edhe Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh që gjuha serbe, e cila përdoret zyrtarisht në Kosovë, duhet të promovohet dhe të ruhet.
Me pranimin e këtij plani, Kosova e fitoi pavarësinë e saj më 2008.