Ylli i Kosovës, Vedat Muriqi, ka folur për përvojën e tij te RCD Mallorca dhe mbështetjen e madhe që Kombëtarja ka marrë në rrugëtimin drejt finales së “play-off”-it për Kupën e Botës.
Në stadiumin e Mallorcas, sulmuesi i njohur, i cilësuar si “pirati kosovar”, ndau detaje rreth përkrahjes së madhe që ai dhe bashkëlojtarët e tij kanë marrë nga tifozët, institucionet dhe figurat politike.
Ai theksoi se mesazhet e shumta motivuese kanë qenë një shtysë e fuqishme për ekipin, pavarësisht rezultatit në finale.
“Kemi marrë shumë mesazhe. Ka pas njerëz që edhe para lojës na kanë thënë që ju e keni arritur kulmin. Për finale, ndodhi çka ndodhi, ju jeni zemra jonë, jeni krenaria jonë. Domethënë, kjo është diçka jashtë mase e mirë për neve. Ka qenë kënaqësi që e kemi dëgju. Kemi shkuar edhe pas lojës, ish presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e kemi marrë edhe medalje për përfaqësimin e shtetit tonë. Këto janë gjëra të mira, këto personalisht edhe për mua edhe për bashkëlojtarët e mi vetëm na motivojnë”, tha Muriqi pēr Klan Kosova.