Leonard Ademaj, vëllai i tani të ndjerës Liridona Ademaj, dëshmoi të hënën në Gjykatën Themelore të Prishtinës në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës – të akuzuar për organizimin dhe kryerjen e vrasjes së saj.

Gjatë deklarimit para trupit gjykues, Ademaj kërkoi dënim maksimal për të akuzuarit.

“Mesazhi ynë dhe i familjes sonë është i qartë, dënimi nuk na e kthen Liridonën, por duhet të jetë një shembull për të gjithë ata që tentojnë të kryejnë një krim të tillë. Duke marrë parasysh natyrën e viktimës dhe rrethanat kriminale në të cilat është kryer vrasja, vendimi duhet të jetë kapital. Sepse dënimin e ka dhënë tashmë vetë populli”, u shpreh ai.

I pyetur nga avokati mbrojtës i Naim Murselit, Shemsedin Piraj, nëse Murseli kishte shkuar për vizitë tek familja e Liridonës pas pushimeve vjetore, dëshmitari tha se po.

“Ka ardhur një apo dy herë, ka qëndruar deri vonë dhe ka fjetur aty. Nuk kemi vërejtur ndonjë ftohje në marrëdhëniet e tyre”, u shpreh ai.

Sa i përket gjendjes financiare të çiftit, Leonard Ademaj tha se motra e tij punonte në dy vende në Suedi, ndërsa për të ardhurat ose aktivitetet e Naim Murselit nuk kishte dijeni. Sidoqoftë, ai përmendi se Murseli kishte kërkuar para nga një i afërm i tyre që jeton në Zvicër.

“Nuk e di nëse ka kërkuar borxh edhe nga të tjerë, qoftë në Kosovë apo jashtë”, shtoi ai.

Ademaj tha se nuk e kishte parë kurrë Naim Murselin në shoqëri me të akuzuarin tjetër, Granit Plava, dhe nuk kishte ndonjë dijeni për motivet konkrete të ngjarjes.

Në fund të seancës, vetë i akuzuari Naim Murseli mori fjalën dhe i drejtoi disa pyetje Leonardit.