Në seancën e gjykimit për vrasjen e Liridona Ademaj, vëllai i saj, Leonard Ademaj, ka kërkuar dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për të akuzuarit, duke thënë se gjatë procesit gjyqësor është dëshmuar qartë organizimi i krimit.
Në fjalën e tij përfundimtare, ai deklaroi se sipas provave dhe dëshmive të paraqitura në gjykatë, vrasja ishte planifikuar nga Naim Murseli, në bashkëpunim me Kushtrim Kokalla, ndërsa ekzekutimi u krye nga Granit Plava.
“I nderuar trup gjykues. Në këtë ditë kur flasim të gjithë ne që e kemi përcjellë këtë proces dhe të gjithë shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë. Se Naimi e ka organizuar këtë vrasje, së bashku me Kushtrimin duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë gjëra këtu. Kemi qenë prezent të gjithë, por nëse paku 22 videokamera janë kapur Naimi, Graniti dhe Kushtrimi…
Krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm. Që fëmijët e Liridonës dhe ne si familje të jemi sadopak të lehtësuar nga dhimbja që kemi përjetuar. Kështu besoj jepet mundësia sa më shpejt të na bashkohen edhe fëmijët e Liridonës. Andaj, i nderuar trup gjykues, ditën e vrasjes së Liridonës, me të iku edhe gjysma e shpirtit dhe e jetës sonë. Na ka mbetur edhe një gjysmë jete, të cilën e keni në duar ju ta vendosni, se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë.
Andaj, kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e cënon, e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e popullit tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit të tyre lehtëson sadopak dhimbjen e familjes sonë dhe krijon siguri për vendin tonë, për raste se s’pari prap vrasje të tilla”, ka thënë Ademaj.