Fikret Bislimi, ish-mësimdhënës i muzikës në Komunën e Podujevës dhe vëllai i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Bislim Bislimi, është emëruar në pozitën e zyrtarit të lartë për biblioteka në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”.

Ky transferim është realizuar përmes një marrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet Komunës së Podujevës dhe Bibliotekës Kombëtare, e autorizuar nga kryetari Shpejtim Bulliqi.

Në dokumentin zyrtar, Bulliqi i ka deleguar kompetencat drejtorit komunal të Arsimit, Avni Fetahu, për nënshkrimin e marrëveshjes që mundëson transferimin e përhershëm të Fikret Bislimit në pozitën e re.

Biblioteka Kombëtare funksionon si institucion publik në kuadër të MKRS-së, ku Bislim Bislimi, vëllai i të emëruarit, mban pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm – një post ky i arritur pas përforcimit të lidhjeve të tij me strukturat e pushtetit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ministrin Hajrulla Çeku.

Në një reagim për Paparacin, Bislim Bislimi ka mohuar të ketë ndonjë ndikim në këtë emërim, duke deklaruar shkurt përmes telefonit: “Drejtoni me shkrim ju lutem, sepse ne nuk e menaxhojmë Bibliotekën”, ka thënë ai para se të ndërpriste bisedën.

Ky zhvillim vjen në kohën kur Bislimi ka qenë aktiv edhe në përballjen mes MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës për çështje të trashëgimisë kulturore, përfshirë ndërhyrjet në zonën e sheshit “George Bush” në kryeqytet.