Vende të përfshira nga vërshimet, evakuohen disa familje

Komuna të tëra janë përfshirë nga vërshimet përgjatë të enjtes në Kosovë. Në po të njëjtën ditë, Qeveria e Republikës së Kosovës njoftoi se situatë më e vështirë është duke vazhduar të jetë në komunën e Klinës, ku edhe janë dërguar përforcime shtesë. Ndërkaq në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj situata po shkon drejt stabilizimit. Krahas kësaj, në komunën e Klinës, Skenderajt e Mitrovicës mësimi për ditën e premte është pezulluar

Pjesëtari i FSK-së duke ndihmuar qytetarët nga vërshimet

Vërshimet kanë përfshirë vende të tëra të rajonit ndër të cilat më e prekura ishte ajo e Skenderajt.

Ishte komuna e Skenderaj ajo e cila shpalli gjendje të jashtëzakonshme.

Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura, pas vërshimeve të shkaktuara nga reshjet, ka vendosur të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe ka ndërprerë mësimin për ditën e premte të 20 janarit, në gjithë territorin e komunës së Skenderajt.

“Sapo është marrë vendim të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, njëkohësisht kam pezulluar nesër mësimin në gjithë territorin e komunës së Skenderajt. Gjendja është jashtëzakonisht alarmante, reshjet janë shumë të mëdha dhe ende pritet që të vazhdojë gjendja e rëndë”, ka thënë ai, duke vazhduar se një gjendje e tillë është shpallur pasi ka bllokim të rrugëve, ndërkohë që vërshimet vazhdojnë.

Ekipet e shpëtimit në Skenderaj


Krahas kësaj, ai ka thënë se pothuajse të gjithë lumenjtë kanë dalë nga shtrati mirëpo komuna po përpiqet të menaxhojë situatën, madje edhe po evakuon disa familje që kanë kërkuar ndihmë, një prej të cilave, është nga fshati Llaushë i Skenderajt.

Përveç komunës së Skenderajt, edhe në Mitrovicë gjendja është e rënduar, pasi raportohet se liqeni artificial ka dalë nga shtrati duke shkaktuar bllokim të rrugëve.

Nga Mitrovica në emisionin “Magazina” të Radio Dukagjinit, ka folur Bahtir Maxhuni, drejtor i emergjencave në këtë komunë, i cili ka thënë se nuk ka rrugë të bllokuar, përveç që vështirësia ngelet te dalja nga shtrati e liqenit artificial.

Pamje nga evakuimi i qytetarëve në Skenderaj Foto: Dorentina Bylykbashi nga RTV Dukagjini

Mitrovicë

Të enjten e 19 janarit, reshjet e shiut bënë që liqeni artificial i Mitrovicës të dilte nga shtrati përgjatë mesditës. Si rrjedhojë, u krijuan  pengesa në komunikacion dhe mbushje të rrugëve me sasi të mëdha të ujit.

Një lajm të tillë e ka bërë të ditur ekipi i terrenit i RTV Dukagjinit, i cili edhe ka siguruar video ku shihet se liqeni artificial në Mitrovicë ka dalë nga shtrati, duke përfshirë pjesën tjetër të rrugës në ujë.

Krahas komunës së Skenderajt e të Mitrovicës, për vërshime është raportuar të ketë edhe në qytetin e Pejës.

Nga kjo komunë ka folur zëdhënësi i komunës së Pejës, Faik Zekaj, i cili ka thënë se nuk ka rrugë të bllokuara, por vetëm rrugë vështirë të kalueshme.

“Gjendja e keqe është qetësuar dhe me mundësi është kontrolluar. Rrugë të bllokuara nuk ka, ka vetëm rrugë vështirë të kalueshme. Një ndër problemet është te rrethi te shkolla ekonomike, është një kanal i bllokuar i ujit, aty është më problem sesa pjesët e tjera”, ka deklaruar Zekaj.

Një sërë raportimesh u bënë edhe në Podujevë.

Jo më ndryshe se komunat e lartëcekura, edhe në Podujevë pati vërshime të mëdha e krahas kësaj, edhe dëme materiale.

Foto e postuara nga kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi
Vërshimet në Podujevë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHK), ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.

Sipas IHMK-së, zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj.

Pas situatës së rënduar nga vërshimet e shiut, ka reaguar Qeveria e Kosovës duke thënë se bashkë me institucionet e sa vartëse është duke vazhduar angazhimin e saj për ta menaxhuar situatën.

Në njoftim thuhet se gjendja është duke u stabilizuar në tri komuna, atë të Istogut, Mitrovicës dhe Skënderajt.

“Aktualisht situata po shkon drejt stabilizimit në Istog, Mitrovicë dhe Skenderaj. Në Mitrovicë dhe Skenderaj janë dërguar dhe kanë arritur gjashtë ekipe shtesë të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave konkretisht nga tri ekipe shtesë për këto dy komuna”, thuhet në njoftim.

Situatë më e vështirë sipas Qeverisë, është duke vazhduar të jetë në komunën e Klinës, ku edhe janë dërguar përforcime shtesë.

Një vështirësi e tillë ka bërë që në komunën e Klinës, Skenderajt e Mitrovicës të pezullohet mësimi për ditën e premte.

Shija e redaktorit

Voton Bujar Osmani, kandidat për president i Maqedonisë Veriore

Kandidati për president i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka votuar. Në një deklaratë para medieve, Osmani inkurajoi qytetarët të dalin në numër sa më...

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Të fundit nga rubrika