Një numër i madh vendesh në Lindjen e Mesme kanë dënuar sulmet e Iranit gjatë natës ndaj Bahreinit dhe Kuvajtit, ku dhjetëra persona mbetën të plagosur dhe të paktën një person humbi jetën.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kuvajtit dënoi sulmet iraniane, duke deklaruar se ato kishin në shënjestër “objekte civile dhe jetike” dhe se kishin dëmtuar edhe një mision diplomatik.
Sipas saj, sulmet e hapura agresive të Iranit çojnë në “përshkallëzim të mëtejshëm, rritje të tensioneve dhe minojnë sigurinë dhe stabilitetin e rajonit”.
Ministria gjithashtu dënoi edhe sulmet iraniane ndaj Bahreinit, shkruan CNN, transmeton Dukagjini.
Ministria e Punëve të Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe dënoi atë që e quajti “sulme terroriste” ndaj Kuvajtit dhe Bahreinit, duke shprehur solidaritetin e plotë me të dy vendet.
Ajo theksoi se sulmet ndaj misioneve dhe selive diplomatike përbëjnë shkelje të qartë të normave dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite dënoi dhe denoncoi agresionin që e konsideroi brutal iranian dhe shkelje e hapur e sovranitetit të Mbretërisë së Bahreinit dhe shtetit të Kuvajtit.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit deklaroi se i konsideron sulmet si “shkelje të rëndë” të sovranitetit të Kuvajtit dhe Bahreinit, si edhe të Konventave të Gjenevës dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Jordanisë dënoi sulmet, duke i cilësuar ato si shkelje flagrante të sovranitetit të Bahreinit dhe Kuvajtit, kërcënim për sigurinë, stabilitetin dhe integritetin e tyre territorial, si dhe shkelje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Ministria e Punëve të Jashtme e Jemenit deklaroi se dënon fuqishëm sulmet agresive të Iranit, duke shtuar se shënjestrimi i vendeve fqinje zbulon natyrën agresive dhe terroriste të regjimit iranian dhe qasjen e tij të bazuar në minimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit.
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, dënoi sulmet ndaj objektivave civile, duke i cilësuar ato si shkelje të sovranitetit të dy vendeve vëllazërore dhe shkelje të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.