Vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë

FOTO: ZKM

Qeveria e Kosovës të mërkurën e 24 majit ka zhvilluar mbledhjen e 143-të me radhë.

Zyra e Kryeministrit ka publikuar vendimet të cilat janë marrë në këtë mbledhje.

Në këtë mbledhje ekzekutivi ka miratuar themelimin e Këshillit Organizativ për shënimin e 12 Qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës dhe shënimin e 10 Qershorit, përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe Strategjinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, u mor vendimi për formimin e Këshillit Ndërministror për Kontroll të Duhanit, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit, parandalimit, vetëdijesimit dhe edukimit të shoqërisë dhe Kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për mbylljen e Emergjencës së Shëndetit Publik.

Ndër të tjera, u mor vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 12/26, të datës 23 prill 2020, sipas të cilit, Shukrije Statovcit, eksperte mjekësore nga Oda e Mjekëve të Kosovës dhe Valbona Çitakut, përfaqësuese e shoqërisë civile, i vazhdohet mandati edhe për një mandat tjetër, si anëtare të Komisionit për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

“Ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 4.4 – Mbështetja e Sigurisë së Pakos së Ringjalljes Ekonomike. Me këtë vendim janë ndarë njëzet e pesë milionë e tetëqind mijë euro (25.800 000). Ndarjen e mjeteve buxhetore prej 32,300 € (tridhjetë e dy mijë e treqind euro) euro për rastet e ankesave dhe gabimeve për punëtorët e ndërmarrjeve publike për masën 3.6, e cila ishte ekzekutuar në vitin e kaluar në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike. Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat preken nga realizimi i Projektit: Ndërtimi i Ndërtesës Administrative për nevoja të Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës. Vendimin Preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme, të cilat preken nga realizimi i projektit: Zgjerimi i Kompleksit Sportiv “Qendra Nacionale e Xhudos” në Pejë”, thuhet në njoftim.

Tutje, si vendim u mor edhe për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e BE-së, “Qytetarët, Barazia, të Drejtat dhe Vlerat”.

U miratua Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare trepalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027, Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare tripalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

Po ashtu, u miratua edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes financiare tripalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës, Malit të Zi dhe Bashkimit Evropian për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027 dhe ajo për negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunimin Kulturor ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Bangladeshit.

“Plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2023, sipas të cilit shtohen edhe tri projektligje për këtë vit; Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë për programin e financave publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023m dhe Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti me propozim për amendamentin e ligjit për ndarjet buxhetore. Ndarjen e mjeteve në shumë prej 17 mijë e 350 euro për mbështetjen e Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjës, konkretisht për realizimin e vizitës së një delegacioni të këtij këshilli në Parlamentin Evropian. Plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë Nr.21/140 të datës 26.04.2023 me qëllim të zbatimit të pakos ndihmëse për komunitetet jo shumicë, në vlerë prej 3 milion euro, të cilën e patëm miratuar para një muaji”, thuhet tutje në komunikatën e ZKM-së.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u mor vendim për riprocedimin për në Kuvend të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar për programin për “Financat Publike të Kosovës dhe Rritja Ekonomike”.

Në këtë mbledhje, Kabineti Qeveritar është informuar gjithashtu edhe me Raportin e Ligjshmërisë së Akteve të Kuvendeve të Komunave për periudhën janar – dhjetor 2022.

Sipas legjislacionit, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është autoriteti mbikëqyrës i akteve të komunave.

Në bazë të raportit të prezantuar nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, janë vlerësuar të ligjshme 1038 akte, ndërsa në rishqyrtim nga komunat janë adresuar 68 akte të ndryshme të komunave.

Nga ky numër, 61 akte janë rishqyrtuar dhe harmonizuar sipas kërkesës nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, 2 akte edhe pse janë rishqyrtuar nuk janë harmonizuar në përputhje me kërkesat e MAPL-së, ndërsa 5 akte të tjera nuk janë rishqyrtuar fare nga komunat, 4 nga komuna e Prishtinës dhe 1 nga komuna e Mamushës.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika