Vendimi i PZAP-së, PDK-ja paralajmëron ankesë në Supreme për rivotim në Mitrovicë

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka refuzuar ankesën e tyre lidhur me parregullsitë gjate procesit të numërimit të fletëvotimeve në Komunën e Mitrovicës së Jugut, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të mbajtura me 09 nëntor.

Në njoftimin e PDK-së thuhet se janë “thellësisht të zhgënjyer” teksa konsiderojnë se vendimi nuk pasqyron atë që realisht ka ndodhur në terren, njofton Dukagjini.

Tutje thuhet se PDK-ja ka paraqitur fakte dhe dëshmi të dokumentuara që sipas tyre tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike.

“Ne e konsiderojmë këtë vendim të padrejtë dhe të pambështetur në realitetin e asaj që ka ndodhur në Mitrovicë. PDK ka paraqitur fakte, dëshmi dhe situata të dokumentuara që tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve nuk është respektuar në mënyrën siç e kërkon ligji dhe standardet demokratike”.

Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se do të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme.

“Prandaj, Partia Demokratike e Kosovës nuk do të ndalet. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat ligjorë që garanton Republika e Kosovës. Hapi ynë i radhës është paraqitja e ankesës në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, e cila është instanca përfundimtare dhe vendimtare për të garantuar drejtësi dhe integritet të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftim e PDK-së.

PZAP refuzon ankesën e PDK-së ku kërkonte rivotim në Mitrovicën e Jugut

Të fundit nga rubrika