Vendimi i vështirë për Asociacionin
Barrikada, protesta dhe dhunë. Ky ka qenë imazhi i veriut, pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta zbatojë një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel me Serbinë për targat. Pak kohë pas këtyre tensioneve, ka nisur intensifikimi i takimeve për një marrëveshje përfundimtare. Pengesa drejt dakordimit final, është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Për Belgzim Kamberin […]
Barrikada, protesta dhe dhunë.
Ky ka qenë imazhi i veriut, pasi Qeveria e Kosovës vendosi ta zbatojë një marrëveshje të nënshkruar në Bruksel me Serbinë për targat.
Pak kohë pas këtyre tensioneve, ka nisur intensifikimi i takimeve për një marrëveshje përfundimtare.
Pengesa drejt dakordimit final, është Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
Për Belgzim Kamberin nga Instituti “Musine Kokalari”, pa një paqe të vërtetë, Asociacioni vështirë se do të kishte sukses.
“Nëse kemi Asociacion dhe mbetet në këto pozita armiqësore, atëher nuk është që nuk ekziston rreziku që pastaj Asociacioni të shërbejë më shumë për segregacion, për sesecionizëm në të ardhmen në veçanti të veriut, ndërkaq nëse kemi një proces të normalizimit të vërtetë të marrëdhënieve siç po synon SHBA-të, ndoshta edhe Asociacioni mund të jetë në dobi të integrimit”, ka deklaruar Kamberi.
Kamberi thekson se presioni për Asociacionin do të vazhdoj të rritet gjatë këtij viti, në mënyrë që të shihen rezultate para zgjedhjeve të 2024-s në SHBA e BE.
Por, ndërkombëtarët, sipas publicistit Shkëlzen Maliqi, e kanë tashmë një mësim të ngjashëm me Asociacionin në baza etnike.
“Bashkësia ndërkombëtare është pendu edhe për Bosnjën që e ka pajtu këtë modelin të cilin e kanë imponu vet serbët, që më pas ata një Republikë të veten në baza etnike. Duhet me pas kujdes, edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk është që të mos themelohet, por të bëhet kujdes që të mos i kaloj këto vijat e kuqe, mos me leju që aty të dominoj parimi etnik”, ka deklaruar Maliqi.
Të hënën në Prishtinë, Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin, ku kanë theksuar se ai duhet të bëhet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por megjithatë duhet të financohet nga Serbia.















