Për një prej krimeve më të rënda që ka ndodhur në Ferizaj, gjykimi për herë të dytë ka prekur fundin dhe qysh në fillim të javës do të marrë verdiktin e gjykatës.

Fjalët përfundimtare në procesin gjyqësor kundër Dardan Krivaqës e Arbër Sejdiut, të akuzuar për vrasjen e Marigona Osmani, u dhanë këtë të premte nga palët në këtë rast.

Dënimin e dy të akuzuarve, e ka kërkuar prokurori dhe avokati i familjes Osmani, duke theksuar se nuk u besojnë versioneve të tyre, për shkaqet që quan në vdekjen e 18 vjeçares.

“Ne kemi pas rast të dëgjojmë edhe mbrojtjen e të akuzuarit Dardan Krivaqa, i cili ka deklaruar se rrëzimet e të ndjerës kanë qenë shkak i lëndimeve të të ndjerës. Prokuroria nuk ia ka falë besimin deklarimit të tij dhe pretendimeve të tij. Po ashtu, Prokuroria nuk ia ka falë besimin deklarimit të tij ku thotë që ka qenë nën ndikim të narkotikëve siç ka deklaruar që nuk mund të ecte”, ka thënë prokurori Valdet Avdiu

“Personi i parë gjatë tërë jetës së tij, është i prirur të trillojë rrena të tij. Fillimisht thotë se është rrëzuar shkallëve aty ka pësuar lëndimet, kjo nuk qëndron dhe vërtetohet edhe nga deklarimi i të akuzuarit Arbër Sejdiu, i cili ka deklaruar se kur e ka pa në dhomë Marigonën, ka qenë në gjendje të rëndë dhe me shenja dhune. Këta e kanë vrarë në mënyrën më të keqe- mizore Marigonën”, ka thënë avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi.

I akuzuari kryesor Krivaqa, foli edhe një herë duke thënë se vrasja nuk ka qenë e qëllimshme, derisa avokati i tij, kërkoi rikualifikimin e veprës.

“Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, ka thënë Krivaqa.

“Dardani nuk e mohon se nga veprimet e tij ka ndërruar jetë e ndjera, por ka deklaruar se nuk ka qenë vetvetja për shkak të ndikimit të substancave narkotike dhe alkoolit… Ne konsiderojmë se Dardan Krivaqa ka kryer vepren penale të vrasjes”, ka thënë Skender Musa – Avokat i Dardan Krivaqës

Ndërkohë babi i të ndjerës, foli rreth deklarimeve që bëri Krivaqa në seancën e kaluar, kur dha mbrotjen e tij.

“Sa i përket deklarimit të të akuzuarit Krivaqa se vajza ime ka qenë përdoruese e drogës, kjo nuk është aspak e vërtetë. Këta e kanë bërë turpin ma të madh njerëzor”, ka thënë babai i Marigona Osmanit.

Në seancë, edhe mbrojtjësja e të akuzuarit Sejdiu, ka mohuar veprat për të cilat ngarkohet klienti i saj nga Prokuroria.

Dardan Krivaqa u dënua me burgim të përjetshëm e Arbër Sejdiu me 15 vjet burgim, për vrasjen mizore të 18 vjecares në gusht të 2021, por Gjykata e Apelit e ktheu në rigjykim.

Krivaqa akuzohet për vrasje të rëndë dhe dhunim ndërsa Sejdiu për vrasje të rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.

E se cili do të jetë vendimi i dytë i trupit gjykues në Ferizaj për këtë rast,  do të kuptohet të hënen e ardhshme kur pritet të shpallet aktgjykimi.