Ish-kandidati për deputet nga Partia Liberale e Egjiptiane, Veton Berisha, ka paraqitur një ankesë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat gjatë zgjedhjeve të vitit 2021.

Lidhur me pretendimet e fundit se vendimi nga Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Vjosa Osmanin nga posti i presidentes, Berisha ka thënë se nuk ka qenë qëllimi i tyre dhe nuk e presin një vendim të tillë.

“Nuk është ai qëllimi, nuk ka qenë edhe nuk do të jetë, edhe nuk e pres”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.

Duke folur për ankesën që është dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese, Berisha ka thënë se atë që pretendojnë e ka vërtetuar edhe Avokati i Popullit.

“Ankesën e kemi dorëzuar ne si palë, me ndihmën e IKD-së ndërsa avokati i popullit e ka dhënë një opinion të tij, i cili ka qenë një konfirmim i asaj që e kemi pretenduar, domethënë ankesën e kemi dorëzuar unë dhe Albert Kinolli bashkë”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, nëse ankesa e dërguar në Gjykatën Kushtetuese nuk merret parasysh, Lista Serbe mund të ketë mundësi të orkestrojë sërish vota dhe nëse ai vendim i Gjykatës Supreme nuk korrigjohet, do të kishte mundësi të ketë deri në 15 deputetë në përbërje të saj.

“Për mua ka rëndësi me u mbrojt Kosova nga ky sulm politik që ka ndodhur gjatë zgjedhjeve të kaluara. Për shkak se përsëritja e atij procesi është shkatërrim për Kosovën”, ka deklaruar ai.

Ai është i befasuar nga raportimet se kanë informacion para vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Jam duke u çuditur qysh njerëzit kanë informacione para nesh, ne jemi palë në procedurë dhe asnjë vendim apo informacion nuk e kemi akoma prej Kushtetueses, sido që të jetë kërkesa jonë ka qenë me mbrojt kushtetutshmërinë, demokracinë në Kosovë dhe me e ndalë mundësinë e orkestrimin të votave nga ana e Listës Serbe përmes deputetëve, të cilët janë edhe pjesë e Kuvendit. Deputeti në fjalë i Iniciativës Romë, është pjesë e Kuvendit edhe ne pretendojmë që ai është i jashtëligjshëm sepse ai ka ardhur deputet i komunitetit romë i zgjedhur nga komuniteti serb, dhe normalisht kjo është e padrejtë”, është shprehur ai.

Gjithashtu, ai ka thënëse nuk do të donte dhe nuk beson që ankesa të ketë një implikim të tillë, edhe pse nuk e kanë menduar asnjëherë këtë çështje.