Gërshetuar me cicërimat, në parkun e fshatit SOS, dëgjohen të qeshura e zhurmë pune.

Kjo ngase këta fëmijë, pushimet verore po i kalojnë në këtë kamp veror të improvizuar brenda SOS fshatit.

Disa në krijimin e byzylykëve, disa në vizatime e punë argjile, po krijojnë kujtime për t’i mbajtur afër zemre, e për t’i treguar në bankat shkollore në shtator.

Familja e madhe e SOS Fshatit këtë ngrohtësi e ka çdo verë, e kjo me një arsye specifike.

“Ne organizojmë kampe falas për fëmijët pa përkujdesje dhe ata që janë në rrezik të humbjes së kujdesit prindëror. Menxi s’presin edhe fëmijët. Ideja është të socializohen me njëri-tjetrin, të mësojnë gjëra të reja. Thjeshtë ta kenë një verë, të krijojnë kujtime të verës si çdo fëmijë tjetër se n shtator kur të kthehen sigurisht që kanë për ti komentuar se si e kaluan verën, edhe fëmijët e programit tonë do kenë se çka tregojnë”, ka thënë Ora Bytyçi, Drejtoreshë e programit të SOS Fshatit.

Ani pse të rezervuar për t’u deklaruar para kamerave, për fëmijët e SOS-it flet vet buzëqeshja.

E që këtë ta kenë të përhershme, Bytyçi ka një mesazh.

“Fëmijët janë zë njëjtë pavaërisht se a rriten në familje biologjike ose në SOS fshat. Nëse keni mundësi t’i ndihmoni mos u kurseni sepse ajo motoja e fshatit është “Pak nga ju, vlen shumë për mua”. Nëse mund të ndihmoni, kjo do të thotë shumë”, ka thënë Ora Bytyçi, Drejtoreshë e programit të SOS Fshatit.

Stafit të fshtatit SOS iu bashkuan edhe vullnetarë të cilët, bëjnë thirrje për të tjerë që t’iu bashkohen.

“Po më duket shumë përmbushëse se s’kam bë kurrë, mos me kanë shoqja jem se di a isha ardh. Duke u merrë me rini e sidomos masi u ktheva nga jashtë, po mi hap sytë shumë se po e di se sa ndihma nevojitet këtu në Kosovë edhe ish vlerësu me ndihmu sa ma shumë, me pas më të inkuadruar në aktivitete të tilla”, ka thënë Tesa Avdiu, vullnetare në kamp.

Në kujdes alternativ të fshatit SOS janë 48 fëmijë, ndërsa në programin e fuqizimit, rreth 600.