Kameramanit Agon Bejtullahu i bie shpesh që të vjen në veri të Kosovës për punë. Terrenet këtu, në rastet kur ka tensione nuk janë të lehta. Të hënën, Bejtullahu u sulmua teksa po e kryente punën e tij.

“Ishin afërsisht 50 metra distancë, gurët vinin, unë e marrë kamerën dhe largohem me shpinë duke ecur prapa. Frika më e madhja e imja në ato momente ka qenë kur kanë ardhë gurët, por më së shumti jam frikësu se mos po del dikush nga afër”, ka thënë Agon Bejtullahu – Kamerman.

Një sulm nga personat që tash e 12 ditë po qëndrojnë afër barikadave, e përjetoi edhe gazetari Çlirimtar Morina.

“U hodhën disa gurë në drejtim tonin. Disa persona të maskuar dolën nga një shtëpi, e cila tashmë po dihet sepse është bërë edhe publike, është një pjesë afër asaj shtëpie ku ata qëndrojnë. Ata dolën nga ata dhe hudhën gurë në drejtim tonin, nmirëpo nuk u afruan edhe shumë”, ka deklaruar Çlirimtar Morina – Gazetar.

Morina tregon se kur raporton nga veriu, çdo herë mundohet të tregohet më i kujdesshëm.

“Gjithmonë mundohem që të mos bëhemi ne shkak që Policia e Kosovës të vij dhe të intervenoj për shkak të arsyeve të gazetarëve. Normalisht është e kuptueshme që gazetarët duhet të raportojnë në gjithë vendin, mirëpo unë personalisht mundohem që ta ruaj sigurinë time dhe pse jo edhe të policëve që të mos ketë nevojë për intervenim”, ka theksuar Çlirimtar Morina – Gazetar.

Në më pak se dy javë, këto janë vetëm dy prej disa sulmeve që u ndodhën gazetarëve që raportuan nga veriu.

“Apeli im është që ne të bëjmë punën të lirë. Të paraqesim faktet dhe argumentet se çfarë po ndodhë në këtë vend”, ka shtuar Agon Bejtullahu – Kamerman.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, në të gjitha rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, ka kërkuar nga organet kompetente që të ndërmarrim masat e duhura për sigurimin e ekipeve mediale.