Veriu pa kryetar, zgjidhja për zgjedhjet

Për gjashtë muaj me radhë, katër komunat në veriun e Kosovës do të jenë pa kryetar. Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë pa kryetarë qysh nga 5 nëntori. Ata kishin dhënë dorëheqje si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe. Zgjidhjes së këtij problemi pretendohet t’i jepet fund në prill të vitit 2023, atëherë kur edhe do të mbahen zgjedhjet

Tensionet në veri të Kosovës nisën të rriten qysh në verë, kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim se nuk do të lejojë më makina me targa që i lëshon Serbia.

Duke kundërshtuar këtë plan, i cili kishte nisur të zbatohej më një nëntor të vitit 2022, serbët e veriut dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror.

Dorëzimi i armëve dhe fletëdorëheqjeve erdhi pas përfundimit të protestës së serbëve në sheshin “Car Lazar” të organizuar nga Lista Serbe të dielën e 6 nëntorit.

Pas këtij dorëzimi, erdhi edhe dorëzimi i mandateve nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Këtë e kishte konfirmuar për Portalin Dukagjini, Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të kryeparlamentarit, Glauk Konjufca.

Dorëzimi i mandatave ka ardhur dy ditë pas bojkotimit të institucioneve nga Lista Serbe. Më tej dorëzimi tjetër ka ardhur nga gjyqtarët serbë në Gjykatën Themelorë të Mitrovicës. Sikur Gjykata, edhe Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka mbetur pa dhjetë prokurorë serbë.

Pamje nga momenti kur serbët zhveshin uniformën e Policisë së Kosovës, 05.11.2022

Këshilli Prokurorial kishte njoftuar se dorëheqje kanë ofruar edhe stafi administrativ i këtij komuniteti.

Pos tyre, edhe kryetarët e komunave në veri të vendit, dhanë dorëheqje si shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.

Katër komunat e banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan janë pa kryetarë qysh nga pesë nëntori.

Pas dorëheqjes së kryetarëve, komunat, ligjërisht, duhet të shkonin në zgjedhje të parakohshme.

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës, ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Shmangia e zgjedhjeve në veri ishte e pashmangshme, thoshte Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte caktuar 18 dhjetorin, datë të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri.

Ajo kishte takuar përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Dua t’i siguroj të gjithë qytetarët serbë të Kosovës se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve është detyrim kushtetues që ka lindur nga akti i dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave. Assesi nuk është çështje dëshire apo vendim që mund të ndryshohet, sepse nuk ka rrugë tjetër”, kishte theksuar ajo.

Osmani po ashtu kishte potencuar se duhet të bëhen përgatitjet e nevojshme edhe me institucionet e sigurisë “që procesi i fushatës zgjedhore, e më pas dita e mbajtjes së zgjedhjeve të shkojnë qetë dhe pa tensione”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Lista Serbe tashmë ishte deklaruar se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Subjektet tjera politike serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, Partia Demokratike Progresive, të cilat konsiderohen kundërshtare politike të Listës Serbe, vlerësonin se në situatën aktuale në veri të Kosovës, pjesëmarrja në çfarëdo procesi zgjedhor ishte e pamundur për to.

Aleksandar Jabllanoviq, drejtues i Partisë së Serbëve të Kosovës me seli në Leposaviq, kishte thënë se situata bëhet edhe më e rëndë në rast se nis shqiptimi i dënimeve ndaj personave që kanë automjete me targa KM, në kuadër të planit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e vendimit për riregjistrimin e këtyre automjeteve në targa RKS (Republika e Kosovës).

“Në këto rrethana, kur serbët, potencialisht nga 21 nëntori, nuk do të mund të lëvizin lirshëm me makinat e tyre në veri, do të ishte çmenduri të mendohej për zgjedhje. Ne, në këtë moment, jemi shumë më afër opsionit që të mos marrim pjesë në ato zgjedhje, përveç nëse në dy, tri apo katër ditët e ardhshme, nuk ndryshon diçka rrënjësisht në raportin e Qeverisë në Prishtinë ndaj serbëve lokalë. E kam fjalën lidhur me targat dhe rreziku që ekziston për ndëshkimin e njerëzve dhe konfiskimin e pasurisë së tyre”, kishte thënë Jabllanoviq.

Në zgjedhjet e parakohshme për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës nuk do të merrte pjesë as Iniciativa qytetare “Mbijetesa serbe”, me seli në Mitrovicë të Veriut.

Drejtuesi i këtij subjekti politik, Aleksandar Arsenijeviq, kishte deklaruar se nuk ekziston “atmosferë demokratike” për një proces zgjedhor normal.

Edhe Nenad Rashiq, kryetar i Partisë Demokratike Progresive me seli në Graçanicë, kishte deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave në veri të Kosovës, sepse, sipas tij, nuk ka kushte për një gjë të tillë.

Ai konsideronte se duhet gjetur një vendim politik për shtyrjen e këtyre zgjedhjeve.

Fati i zgjedhjeve në veri, SHBA: S’ka kushte për mbajtjen e tyre

Situata e brishtë e sigurisë në veri ishte bërë sërish shkak që ndërkombëtarët t’i trokasin në derë Qeverisë së Kosovës.

Ishte ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, i cili pas incidenteve me armë zjarri në veri, kishte thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve.

“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se nuk janë krijuar kushtet për momentin që zgjedhjet të mbahen në fund të këtij muaji në veri të Kosovës. Siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti më i lartë. Ne kërkojmë që të gjithë të përfshirët të vetëpërmbahen”, kishte thënë Hovenier.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier

Disa grupe të qytetarëve serbë në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut kishin penguar hapjen e zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke shkaktuar edhe incidente, por pa pasoja në njerëz.

Incidentet ndodhën derisa policia po i shoqëronte zyrtarët e KQZ-së drejt hapjes së komisioneve komunale zgjedhore.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, kishte thënë se “grupe të organizuara, me disa individë të maskuar” i sulmuan zyrtarët zgjedhorë dhe policët “me shok bomba dhe të shtëna në ajër”.

Ai kishte theksuar se aktet që kanë qëllim pengimin e procesit zgjedhor, janë të papranueshme.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte thënë se në veri do të ketë shtim të pranisë policore.

Sipas tij, sulmet atje po kryhen nga “banda kriminale”, të cilat “paguhen dhe dirigjohen nga Serbia”.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, kishte thënë se incidentet në veri dëshmuan se qasja e KQZ-së në atë pjesë të Kosovës është e kufizuar.

Për këto incidente, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri përgjegjëse, “bandat kriminale, të përkrahura politikisht dhe financiarisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq”.

Por, pala serbe akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Duke i komentuar incidentet në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se “është mirë që nuk ka informacion për viktima”.

Ai pati thënë se “nuk e di se çfarë ka në mendjen e njerëzve që duan të shkaktojnë konflikte dhe tensione çdo javë”.

Ndërsa, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, akuzonte kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për, siç tha, “terror” ndaj serbëve.

Sulmohen zyrat e KKZ-së në veri

Osmani shtyu zgjedhjet në veri për në prill të vitit 2023

Për fatin e zgjedhjeve ishte deklaruar sërish institucioni që i ka shpallur ato.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte njoftuar për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri për 23 prill të vitit 2023.

Osmani e kishte bërë të ditur vendimin pas një takimi që ka pasur me përfaqësuesit e partive politike.

Ajo kishte thënë se për këtë vendim ka pasur konsensus të plotë mes partive politike dhe se është marrë parasysh edhe raporti i dërguar të premten në Presidencë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

“Në mënyrë që të sigurojmë pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në këto zgjedhje, vëzhgim nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, siguri për të gjithë qytetarët pa dallim, si dhe kohë të mjaftueshme për institucionet e sigurisë që të bëjnë edhe përpjekje e të ndërmarrin veprime shtesë për rend dhe ligj në veri në vendit, vlerësoj që shtyrja është e nevojshme”, kishte thënë ajo një konferencë për media pas takimit.

Po ashtu, presidentja e vendit kishte theksuar se ka kontaktuar Bashkimin Evropian për t’i kërkuar mbështetje për mbikëqyrjen e zgjedhjeve në veri, por, sipas saj, se BE-ja ia ka bërë të ditur se për shkak të afatit të shkurtër kohor, nuk do të kishte mundësi të merrte pjesë.

“Deri tani asnjë organizatë vendore nuk është regjistruar po ashtu. Pra, këto zgjedhje do të ishin pa vëzhgim ndërkombëtar apo edhe vendor”, shtoi Osmani.

“Dorëheqjet e pafundme” sollën reagime të shumta

Të gjithë këto dorëheqje të “pafundme” kanë sjellë gjithashtu reagime të “pafundme” nga pozita, opozita dhe nga faktori ndërkombëtar.

Reagimi i Pozitës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën në veri, kishte thënë se serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beogradi.

Shefi i ekzekutivit kishte thënë se Serbia nuk është duke punuar për të mirën e serbëve në Kosovë.

“Serbët në Kosovë janë të rrezikuar nga Beograd, i i cili ua djeg veturat e shtëpitë, asnjë serb nuk beson se djegia ka ndodhur prej shqiptarëve”.

Sipas tij, Serbia nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën demokratike.

“Serbia në vazhdimësi po tregon se nuk është e interesuar për integrim të serbëve në Kosovë dhe se synon ta minojë Kosovën tonë demokratike. Kosova do të angazhohet për drejtësi, ligj dhe kushtetutshmëri, nuk do të shantazhohet nga organizimet kriminale kushdo qofshin dhe nga kushdo që organizohen ato”, kishte deklaruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, thoshte se FSK-ja do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit.

Mehaj, ndër të tjera, i ka dënuar veprimet e Serbisë për destabilizim të vendit, gjersa ka shtuar se Kosova dhe institucionet e saj, janë në koordinim të plotë me policinë dhe KFOR-in.

“FSK është këtu është të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Dënojmë veprimet e Serbisë për destabilizimin e vendit tonë. Kosova dhe institucionet e saj janë në shërbim të çdo qytetari dhe veprimet tona janë në harmoni me policinë tonë dhe KFOR-in”, ishte shprehur Mehaj ne Twitter.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe kryetari i Kuvendi, Glauk Konjufca

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, pati thënë se Serbia ka shfrytëzuar pretekstin e targave, për të larguar vëmendjen nga plani franko-gjerman, për të cilin ka thënë se Serbia e ka refuzuar zyrtarisht.

“Situata e sigurisë në Kosovë është në kontroll, policia është e pranishme sipas ligjeve, edhe në kufi edhe në dogana, e mendoj që përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht ka filluar dje, është të mbulojë atë që ka qenë thelbësore dje, është që Republika e Serbisë, të cilën ne nuk e njohim, e ka refuzuar zyrtarisht planin franko-gjerman”, kishte deklaruar Konjufca.

Ai ka thënë se thelbi i planit franko-gjerman është që Serbia të heqë dorë nga Kosova e të respektohet në mënyrë reciproke sovraniteti ndërmjet dy shteteve, të cilën sipas tij, Serbia po mundohet ta zhvendosë me situata të tjera sikurse situatën e fundit në veri.

“Targat janë preteksti, nuk janë për Serbinë aq esenciale politikisht në kuptimin shtetëror, më me rëndësi ka qenë mbajtja e referendumit dhe mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë”, kishte vijuar ai.

Reagimi i opozitës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka dërguar një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me situatën aktuale në veri të vendit, për të cilën PDK-ja ka ngritur shqetësimet e saj.

Sipas Krasniqit, dorëheqjet e fundit të Listës Serbe e të zyrtarëve policorë e punonjësve në sistemin e drejtësisë nga institucionet e Kosovës, përbëjnë akt të paprecedent dhe krijojnë një situatë problematike për Kosovën.

“Zhvillimet e fundit në pjesën veriore të vendit janë shumë shqetësuese dhe cenojnë funksionimin, stabilitetin dhe sovranitetin e shtetit tonë. Në këtë situatë, ku epilogu është i paqartë e rreziku i përshkallëzimit është evident, komunikimi dhe harmonizimi i veprimeve të institucioneve dhe të gjithë akterëve politikë është i domosdoshëm”, kishte shkruar Krasniqi në Facebook.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në lidhje me dorëheqjen e Listës Serbe nga institucionet e Kosovës, kishte thënë se do të jetë një situatë ku do të ketë “vakuum kushtetues”.

Këtë, ai e ka deklaruar pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.

“Është shumë problem, KQZ duhet të trajtojë në listë njerëz të tjerë, do të kemi vakuum kushtetues, ajo që po shohim, çështja është ndërlikuar shumë”, gjersa ka shtuar se  ndoshta zgjedhjet, do të ishin zgjidhje për vendin.

Ndërsa, për situatën aktuale në vend, ka thënë se është shumë shqetësuese që një vendim puro teknik për targat, të kthehet në problem të sigurisë në vend.

“Targat puro teknik të kthehet në problem të sigurisë në vend, në një situatë ku jemi mbrapa” ka thënë ai.

Ramush Haradinaj, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një konferencë për media kishte thënë se “satelitet e Serbisë” kanë skenarë të dështimit të marrëveshjes së planit franko-gjerman dhe, sipas tij, në këtë skenar është kyçur dhe kryeministri Albin Kurti.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Reagimi i ndërkombëtarëve

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, kishte thënë se përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës ndaj propozimit gjermano-francez janë ende duke u studiuar, por prioritet aktual është shkallëzimi situatës në Kosovë.

Ai theksoi se Kosova ka një obligim të qartë për të formuar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, gjithashtu ai paralajmëroi se ngjarjet në Kosovë mund të kenë pasoja për të gjithë rajonin.

“Është obligim i qartë i Kosovës që menjëherë të krijojë ose të ndërmarrë hapa për themelimin e një komuniteti të komunave serbe. Ky është një obligim ligjor i detyrueshëm i Kosovës dhe mospërmbushja e vazhdueshme, jo vetëm që cenon parimin e sundimit të ligjit, por dëmton edhe reputacionin dhe besueshmërinë e Kosovës”, kishte thënë Stano në konferencën për media.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano

Stano thoshte se ditët e fundit kanë parë një përshkallëzim që rrezikon atë që është arritur me shumë vite punë.

Ai u kishte bërë thirrje të dyja palëve që të bëjnë përpjekje për të gjetur një zgjidhje evropiane, dhe theksoi se tani i takon Beogradit dhe Prishtinës që të përmbushin obligimet e tyre nga Marrëveshja e Brukselit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Ai kishte njoftuar se ka kërkuar nga të dy liderët që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim.

“Bisedova me Aleksandër Vuçiqin dhe Albin Kurtin për situatën e tensionuar në veri të Kosovës. I kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim”, kishte shkruar ai në Twitter.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Ai kishte bërë të ditur se dialogu është e vetmja rrugë drejt zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve, kështu duke theksuar se NATO dhe KFOR mbeten vigjilentë për çka do që ndodh.

“Është thelbësore që të gjitha palët të vazhdojnë dialogun me njëra-tjetrën për hir të sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit në rajon”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për RTV Dukagjinin.

Sipas përgjigjes së tyre, thuhej se komandanti i KFOR-it është në kontakt të ngushtë me të gjitha autoritetet.

Sa i përket sigurisë në Kosovë, ”KFOR-i mbetet vigjilent dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e forcës së tij”.

A është aktiv ende misioni i KFOR-it në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999?

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë situatën në terren dhe vazhdojnë të zbatojnë mandatin e tij në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit e Kosovës”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it.

Pjesëtarë të KFOR-it në Kosovë

Reagimi i Qeverisë serbe 

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, në lidhje me situatën e fundit në veri të Kosovës, kishte deklaruar për televizionin serb “RTS” se “duhet të bien maskat dhe të shihet nëse ekziston apo jo marrëveshja e Brukselit”.

I pyetur nëse Perëndimi do të mund t’i bëjë presion Kosovës për këtë situatë, ai kishte thënë se “nuk e di nëse mund t’i bëjnë presion Prishtinës, por askush në Serbi nuk beson se nuk munden”.

Sipas tij, po tregohet një dobësi nëse perëndimi nuk mund të merret me kryeminstrin e  Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse ShBA-ja dhe BE-ja nuk mund të merren me Kurtin, kjo është pafuqi e tyre ose pëlqim i heshtur”, kishte thënë ai.

Ivica Daçiq, ish-kryetari i Kuvendit të Serbisë

Po ashtu, ai kishte theksuar se është edhe “obligim i BE-së të formojnë Asociacionin”, jo vetëm obligim i Kurtit.

Pra, këto ishin disa nga ngjarjet që kanë karakterizuar muajt e fundit të këtij viti, me dorëheqjet dhe reagimet në vorbullën e krijuar të ngjarjeve nga situata në veri të Kosovës.

Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës sipas kalendarit të publikimeve ka prezantuar statistikat për institucionet tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave për...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika