Të pamundur e kanë të kalojnë nga një lagje në lagjen tjetër. Banorët e fshatit Llugë të Podujevës, sot janë zgjuar me një problem të madh, shkaku i vërshimeve pas reshjeve të vazhdueshme të shiut të një dite më parë.

Ura që lidh dy lagjet, nga Komuna është zhvendosur në dy pjesë në mënyrë që lumi Dumnica të qarkullojë dhe të mos hyjë në shtëpi.

Sipas banorëve, kjo nuk është hera e parë që po përballen me këtë situatë. “Problem kemi gjithmonë me vërshime, shtrati nuk është pastrua, kemi pas problem krejt shtëpitë në ujë o kemi pas”, ka theksuar Rrahim Deda – Banor.

“Nëpër ara po hynë uji nëpër shtëpia po na dëmton. Uji e ka prish urën”, ka thënë Behram Konushevci – Banor.

Gjendjen nga afer, e kanë parë edhe përfaqësuesit komunal. Drejtori i Shërbimeve Publike në Podujevë, Bahri Selimi ka bërë të ditur se përheq dëmeve në bujqësi nuk ka pasur dëme të tjera.

“Prej orëve të hershme të mengjesit ne kemi qenë në teren në vazhdimësi së bashku më zjarrfikësit që kanë qenë në teren ata kanë qenë në disa pika ku ka pasur rrezik që uji të hyjë në disa shtepi. Ne kemi intervenu dhe është dashtë të ndërhyjmë edhe të dëmtohen në infrastrukturën që të bije niveli i ujit”, ka deklaruar  Bahri Selimi- Drejtor i Shërbimeve Publike në Podujevë

Komuna e Podujevës është një nga komunat që ka pasur më së shumti dëme nga vërshimet gjatë muajit nëntor.

Sipas zyrtarëve të saj, demet në sektorin e bujqësisë kapin shifrat mbi një milion euro.