Afrim Veseli – Kolonel i FSK-së në pension ka deklaruar se ushtrimi ushtarak fushor “Defender 25” është një ushtrim që në thelb nënkupton “ditë e madhe” për ushtrinë por edhe qytetarët e Kosovës.

“Ditë e madhe për Kosovën. Ditët e tilla të lumtura kemi pasur pak kohët e fundit në Kosovë, pa dallim etnie. Edhe Kosova është pjesë e një ushtrimi të madh ushtarak që po zhvillohet në territorin e Kosovës dhe me ushtrinë e saj. Duke u bazuar se NATO-ja dhe Ushtria e Amerikës, sa here që thirret në emër nënkuptojmë ushtritë që mbrojnë lirinë dhe demokracinë e popujve të ndryshëm të botës. Dëshmitarë më të mëdhenj se Kosova dhe qytetarët e saj nuk ka . Duke rikujtuar ditën e intervenimit të NATO*-s dhe SHBA, kur ishum përballë shfarosjes dhe gjenocidit”, deklaroi Veseli.

Veseli ka kujtuar edhe “Defender 2023”, ku ushtarët e FSK-së janë detyruar të largohen nga ky ushtrim ushtarak më I madh si “Dënim ndaj politikës” të zhvilluar atë kohë.

Ai u shpreh se pavarësisht “lojërave politike” të zhvilluar në Kosovë, FSK-ja është konsideruar partner besnik i SHBA-ve dhe ushtrisë amerikane.

“Që nga 2009 si themelim I FSK-së, ushtria amerikane na ka mbrojtur gjithmonë dhe ka hapur dyer për aspektin ushtarak-diplomatik. Pavarësisht politikave që janë duke u zhvilluar aktualisht në Kosovë, FSK-ja është konsideruar partner serioz”, deklaroi Veseli.

Ndryshe, sot ka nisur ushtrimi ushtarak “Defender Europe 2025”, në të cilin Kosova do të jetë një nga 18 shtetet pritëse.

Ky ushtrim konsiderohet si stërvitja më e madhe shumëkombëshe që është zhvilluar ndonjëherë në territorin e vendit.

Në këtë operacion, i udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.

Pjesë e këtij ushtrimi do të jetë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila do të bashkëpunojë me ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në aktivitete që simulojnë operacione mbrojtëse, sulmuese dhe të stabilitetit.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se pjesëmarrja e Kosovës në “Defender Europe 2025”, tregon besimin që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndaj Republikës së Kosovës.

Maqedonci për KosovaPress tha se ushtrimi “Defender Europe 2025”, këtë vit është edhe më i rëndësishëm, pasi për herë të parë në aeroportin e Gjakovës është vendosur komanda taktike e divizionit të tetë të kombësotisë, nga e cila komandë do të komandohen të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit.

“Ushtrimi Defender Europe 2025 është jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë, jo vetëm për faktin se vendi ynë do të jetë vend pjesëmarrës me trupat ushtarake të FSK-së në këtë ushtrim, jo vetëm për faktin që ne do të jemi mes 18 vendeve nikoqire të këtij ushtrimi, por edhe për faktin se këtë herë për herë të parë ushtria e Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë ka besuar në shtetin e Kosovës, në institucionet tona, në ushtrinë e Kosovës që të vendos në Kosovë, në aeroportin e Gjakovës komandën taktike të divizionit të tetë të kombësotisë, komandë e cila do të komandojë me të gjitha brigadat që do të zhvillojnë ushtrime në regjionin e Ballkanit… Ushtrimi Defender Europe 2025 është ushtrimi më i madh nga ushtria e SHBA-ve në kontinentin e Evropës këtë vit, marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende të NATO-s dhe vende partnere në tri zona të ushtrimeve”, tha ai.

I pari i Mbrojtjes në vend, tha se në ushtrimin më të madh ushtarak “Defender Europe 2025”, po marrin pjesë afërsisht 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Kosova me FSK do të marrë pjesë në këtë ushtrim afërsisht me një numër prej 1 mijë pjesëtarësh të cilët përveç në Kosovë – që do të jetë numri më i madh i pjesëtarëve të FSK-së që do të ndjekin pjesën e ushtrimit – do të dislokohen dhe tashmë është dislokuar edhe në Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Kroaci. E gjitha tregon për besimin që SHBA-të kanë në Republikën e Kosovës dhe në aftësinë e institucioneve tona për të mikpritur një ushtrim të përmasave të tilla”, tha ai.

Maqedonci theksoi se për Kosovën dhe sidomos për sektorin e mbrojtjes, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor.

Ai shtoi se më 13 qershor në Pentagon, vetë ai do të nënshkruajë marrëveshjen kornizë të mbrojtjes e cila, siç tha ai, është e para e këtij niveli që nënshkruhet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri në detyrë i Mbrojtjes për KosovaPress, thotë se mbajtja e këtij ushtrimi edhe në vendin tonë është mesazh politik se Kosova është vend stabil dhe i denjë i cili mund të kontribuojë për paqen në botë dhe rajon.

Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ushtrimit “Defender Europe 2025” do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë.

Ky ushtrim në Kosovë do të ndodhë nga 26 maj deri më 9 qershor.