Vespa prezanton “Edizione Ottantesimo”, modelin ekskluziv për 80-vjetorin e ikonës italiane

Vespa ka prezantuar në Romë modelin e veçantë Vespa Edizione Ottantesimo, si pjesë e ngjarjes “80 Years of an Icon”, e organizuar për të shënuar 80 vjet histori, stil dhe liri mbi dy rrota.

Ky edicion special i dedikohet koleksionistëve dhe adhuruesve të Vespa-s. I ndërtuar mbi bazën e modelit Vespa GTS 310, ai do të prodhohet në vetëm 1,946 njësi të numëruara, duke iu referuar vitit 1946, kur u krijua Vespa e parë.

Dizajni i këtij modeli është i frymëzuar nga çeliku i karrocerisë, elementi që ka përcaktuar identitetin e Vespa-s ndër vite. Pamja e tij kombinon elegancën klasike italiane me detaje moderne, duke sjellë një edicion që ruan karakterin origjinal të markës dhe njëkohësisht flet me gjuhën e kohës.

Detajet në nuancë të gjelbër, të vendosura në shalë, fellne dhe grafikën “80”, rikujtojnë modelet e para të Vespa-s, ndërsa mbulesa e pasme me pamje sportive i jep skuterit një karakter edhe më të veçantë. Çdo njësi vjen me emblemë të numëruar, gjë që e bën këtë model unik.

Në aspektin teknik, Vespa Edizione Ottantesimo pajiset me motorin modern 310 hpe, me 25 kuaj fuqi, si dhe me teknologji të avancuar për vozitje më komode dhe të sigurt. Në pajisjet standarde përfshihen ndriçimi LED, ekrani TFT 5 inç, sistemi i lidhjes VESPA MIA, ndezja pa çelës, kontrolli elektronik i tërheqjes ASR dhe sistemi ABS.

Për ta kompletuar këtë edicion, Vespa ka krijuar edhe një helmetë të dedikuar me dizajn të njëjtë, ndërsa klientët mund ta personalizojnë modelin me aksesorë origjinalë, përfshirë top case, mbajtëse bagazhesh, mbrojtëse dhe sistem kundër vjedhjes.

Çdo Vespa Edizione Ottantesimo shoqërohet edhe me një libër të veçantë nga Assouline, i cili sjell historinë e Vespa-s përmes imazheve ikonike dhe materialeve të rralla nga arkivat e Piaggio-s.

Vespa Edizione Ottantesimo është në dispozicion për porosi ekskluzivisht online në vespa.com, duke u pozicionuar si një nga seritë më të veçanta dhe më të kërkuara në historinë e markës.