Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë ka publikuar të dhënat e para zyrtare për pjesëmarrjen në votime, duke raportuar vetëm 11,601 qytetarë që kanë votuar në orën e parë të hapjes së qendrave të votimit (07:00-08:00).

Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, kjo shënon një rënie të ndjeshme prej rreth 50% në këtë interval kohor.

Shqipëria po zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, ku të drejtën për të votuar e kanë mbi 3.7 milionë qytetarë brenda dhe jashtë vendit. Procesi i votimit nisi në orën 07:00 dhe do të përfundojë në orën 19:00.

Për herë të parë, pjesë e votimeve është edhe diaspora shqiptare, e cila voton përmes postës.

Më shumë se 245 mijë qytetarë janë regjistruar nga jashtë për të marrë pjesë në zgjedhje, ndërsa mbi 114 mijë janë votues për herë të parë në këto zgjedhje që do të përcaktojnë përbërjen e re të parlamentit dhe drejtimin e vendit për katër vitet e ardhshme.