Veteranët e UÇK-së letër komisionerit të KiE-së: Specialja ka dalë jashtë drejtësisë
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i ka dërguar një letër edhe komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, pas asaj drejtuar ish-emisarit amerikan Richard Grenell, ku kërkohet hetim ndërkombëtar për, siç thonë ata, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj të akuzuarve nga Dhomat e […]
Organizata e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) i ka dërguar një letër edhe komisionerit për të Drejtat e Njeriut të Këshillit të Evropës, Michael O’Flaherty, pas asaj drejtuar ish-emisarit amerikan Richard Grenell, ku kërkohet hetim ndërkombëtar për, siç thonë ata, shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut ndaj të akuzuarve nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në letër, veteranët thonë se po bëhen shkelje serioze procedurale dhe të drejtave themelore të të akuzuarve, përfshirë paraburgime të tejzgjatura, redaktime të tepruara të dokumenteve, vonesa në dorëzimin e provave dhe kufizime në mbrojtjen juridike.
“Sot, Dhomat e Specializuara nuk i ngjajnë më një institucioni gjyqësor të ndërtuar mbi vlerat evropiane të të drejtave të njeriut. Ato janë shndërruar në një strukturë të mbyllur hermetikisht, që funksionon në izolim të plotë nga sistemi ligjor i Kosovës, institucionet e saj demokratike dhe mekanizmat e mbikëqyrjes kushtetuese. Procedurat e tyre janë të njollosura nga paraburgimet e tejzgjatura, redaktimet e tepruara të dokumenteve, vonesat në dorëzimin e provave dhe kufizimet në ndihmë juridike”, thuhet në letrën e OVL-UÇK.
Sipas tyre, edhe pse Avokati i Popullit i Kosovës ka të drejtë të hetojë shkeljet e mundshme, ai është anashkaluar plotësisht nga ky institucion.
Ata kërkojnë nga komisioneri O’Flaherty që të nisë një hetim të pavarur dhe ndërkombëtar mbi këto pretendime dhe të shqyrtohet funksionimi i Dhomave të Specializuara në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.















