Veteranët pritet të protestojnë sërish kundër verdiktit të Hagës, insistojnë në shkarkimin e Gërvallës

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pritet të protestojë sërish javën e ardhshme, në kundërshtim me dënimin e ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se vendimi për protestën e radhës pritet të merret në mbledhjen e Kryesisë të hënën.

Syla për Kosovapress ka deklaruar se protestat mund të zhvillohen edhe në komunat ku OVL-UÇK-ja ka degë.

“Do të vazhdojmë me protesta. Besojmë të hënën do të mblidhet Kryesia prapë. Edhe do të marrim vendim për protestën e radhës. Po tash t’ia shohim, ndoshta do t’i ndërrojmë idetë… Ka mundësi që të mërkurën vendosim me pasë protestë. Por kemi menduar me decentralizua protestën. Ka mundësi me realizua në komuna ku i kemi degët tona që funksionojnë atje”, tha ai.

Syla ka deklaruar se, nëse shteti e merr seriozisht mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit, ai beson se ata do të dalin fitimtarë.

“Ky dënim është dhënë mbi bazën e materialeve që i ka dërgu prokuroria e Serbisë, prokurorisë, Gjykatës Speciale, gjykata i ka marrë për trajtim. Fare nuk ekzistojnë as ato farë shqyrtimet që i thoshin, janë të pabaza krejt. Provoi me dy-tri raste në njëfarë forme me manipulua me opinion, me thënë, ‘shihni, këta jo’, edhe njëfarë forme provoj me thënë, këta janë individë, po jo UÇK-ja… Nëse shteti jonë e merr seriozisht, jemi të bindur se në apel do të jemi fitimtarë dhe nuk kemi asnjë dilemë këtu”, deklaroi Syla.

Ai ka kërkuar nga deputetët që të ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të mundësohet monitorimi i procesit.

“Neve çka kërkojmë është me pasë një lloj monitorimi të procesit, çka ka ndodhur dhe çfarë do të ndodhë deri në apel. Ju e dini që u bë një padrejtësi shumë e madhe atje. Ju e dini që krejt kjo prokurori, krejt kjo Gjykatë Speciale u furnizua me materiale prej prokurorisë serbe. Prandaj askush nuk pati mundësi ndonjëherë me monitoru veç çka po ndodh. Monitorim nuk do të thotë ndërhyrje. Monitorim është me pa me çfarë prova ti i ke dënu njerëzit, ku i ke marrë ato prova, nga cili shtet… Me amandamentu ligjin, me i dhënë mundësi shtetit tonë me u interesu edhe me pas qasjen në monitorim të procesit qysh ka shkuar deri tash, sepse ne duhet. Apeli do të vendosë në bazë të asaj çfarë ka ndodhur tash, cilat shkelje kanë ndodhur, cilat prova nuk kanë qenë legjitime, se ka plot prova që janë marrë që nuk kanë qenë legjitime fare”, thekson ai.

Ndërkaq, Syla ka theksuar se veteranët do të insistojnë në kërkesën për shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.

Ai kritikoi heshtjen e saj për dënimin e ish-krerëve të UÇK-së, derisa shtoi se e njëjta ka dërguar materiale kundër tyre.

“Nuk meriton ajo zonja me qenë pjesë e institucioneve tona, përkatësisht ministre e Drejtësisë, sepse pikërisht ne e kemi me pasë punë me Ministrinë e Drejtësisë edhe te çështja e fondeve, po edhe te çështja e mbrojtjes. Ministria e Drejtësisë e ka rolin më të kryesor në qeverinë e Republikës tonë. Prandaj, duke qenë ajo aty, ne e kemi dyshimet tona që kjo veç sa ka me na pengu, e jo me na ndihmu… Deklaratat e saj, neve na kanë shtyrë me bë këtë kërkesë. Ajo edhe vetë e ka deklaru që ka qenë, domethënë, dëshmitare, ka dërgu material atje, kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj nuk i bën nder vendit tonë, Kosovës tonë, personaliteti i saj me qenë në pozitë udhëheqëse shtetërore… Ne jemi të bindur që zoti Kurti e din që jemi më të vendosur se kurrë në këto kërkesa. Edhe po besojmë që ka me reflektu zoti Kurti. Edhe po, ka pozita të tjera për zonjën Gërvalla kudo që e vlerëson ai, por jo në këtë dikaster, sepse është tepër e rëndësishme për ne dhe po besojmë që ka me reflektu, sepse përndryshe nuk do të ndalemi me protesta për këto kërkesa që i kemi vendosur dje në protestën tonë. Po sigurisht që po. S’ndalemi ne veteranët kur e japim fjalën edhe e mbajmë”, potencoi ai.

Syla ka folur edhe për gjuhën e ashpër që veteranët përdorin ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, Kurti ka ndikuar në ndërprerjen e komunikimit mes OVL-UÇK-së dhe institucioneve të vendit.

I pyetur për kritikat se OVL-UÇK-ja mund të jetë e ndikuar nga PDK-ja dhe Aleanca, Syla i ka mohuar këto pretendime.

Gjykata Speciale më 16 shtator dënoi me 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, për siç është thënë, krime lufte.

Pas dënimit, OVL-UÇK ka organizuar protestë më 18 shtator.

Shija e redaktorit

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Ali Ahmeti thirrje për Marshin për Liri: Më 12 shtator...

Ish lideri i UÇK-së dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje në Marshin për Liri, i cili do të mbahet...

FC Prishtina mbështetë “Marshin për Liri” më 12 shtator, në...

Klubi i Futbollit “Prishtina” i është bashkuar përkrahjes së “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, në mbështetje...

Të fundit nga rubrika