Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës Ekaterina Trendafilova aktualisht po qëndron për një vizitë në Kosovë. Ndërsa Trendafilova pritet të mbajë edhe një konferencë për media nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së janë duke protestuar për vizitën e saj në Kosovë.

Ata po protestojnë para hotelit ku Trendafilova pritet të mbajë konferencë për media.

Organizatat e dala nga lufta në një reagim të përbashkët kanë deklaruar të hënën se vizita e kryetares së Dhomave të Specializuara është e papranueshme dhe fyerje.

“13 Maji është datë e zezë në historinë tonë, themelimi i UDB-së, përndjekësi më i egër i shqiptarëve, dhe dita e rënies heroike të Tahir dhe Nebih Mehës në Prekaz. Të vish në këtë datë, në këtë tokë, me agjendë të njëanshme e pa ndjeshmëri historike, është ofendim për çdo luftëtar dhe për çdo Familje Dëshmori. Gjykata Speciale është padrejtësi e institucionalizuar. E themeluar për të ndjekur vetëm një palë, vetëm UÇK-në, duke anashkaluar krimet e tmerrshme serbe, ajo nuk sjell drejtësi, por hakmarrje politike. Krerët e UÇK-së po mbahen në paraburgim të zgjatur dhe të padrejtë, po përballen me pengesa të rënda në mbrojtje, trajtim të pabarabartë dhe qëllim të qartë për t’i dënuar që më parë se të mbarojë procesi. Kosova nuk ka për çka të turpërohet! Lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, e drejtë dhe e domosdoshme. Ne nuk do të heshtim! Liri për luftëtarët tanë!”, thuhet në reagimin e OVL UÇK-së.