Të hënën kur edhe mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës,  Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, do të protestojë për mospërfshirjen e kësaj kategorie në pagën minimale.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se pas takimit me degët e organizatës së veteranëve është vendosur që nga ora 10 e ditës së hënë të protestohet para Kuvendit të Kosovës.

“Në takimin me degë, u vendos që të hënën me datën 6 qershor 2022, Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, prej orës 10:00, të organizojnë protestë para Kuvendit të Kosovës kundër diskriminimit që po iu bëhet veteranëve, invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve”, ka shkruar klinaku.

Ndryshe, për mos-përfshirjen e veteranëve të luftës në pagën minimale nga ana e qeverisë janë shprehur kundër edhe partitë opozitare.

Organizata e veteranëve, fillimisht kishte paralajmëruar protestë me datën 14 maj të këtij viti, ku edhe kishin parlajmëruar “destabilizim” të vendit, në qoftë se nuk përfshihen në pagën minimale.

Votimi i Projektligjit për Pagën Minimale është shtyrë për seancën e së hënës për shkak se herave të kaluara nuk kishte pasur kuorum.