Veteranët tentojnë të hyjnë në Kuvend, i ndalë policia (VIDEO)
Veteranët e luftës të cilët po protestojnë që nga mëngjesi i së enjtes para Kuvendit të Kosovës, përsëri janë përplasur me policinë, duke tentuar që të hyjnë brenda objekteve të Kuvendit të Kosovës. Policia e Kosovës e ka vendosur kordonin bllokues para hyrjes së objektit, për t’i penguar ata që të futen brenda. Ndërkaq, pas […]
Veteranët e luftës të cilët po protestojnë që nga mëngjesi i së enjtes para Kuvendit të Kosovës, përsëri janë përplasur me policinë, duke tentuar që të hyjnë brenda objekteve të Kuvendit të Kosovës.
Policia e Kosovës e ka vendosur kordonin bllokues para hyrjes së objektit, për t’i penguar ata që të futen brenda.
Ndërkaq, pas një pauze disaorëshe, seanca e Kuvendit të Kosovës ende nuk ka filluar përsëri punimet.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, i ka bërë thirrje, që të ndërpritet Seanca e Kuvendit të Kosovës, po ashtu ai e ka akuzuar pushtetin se po e provokojnë situatën në dëm të veteranëve.
Ai u ka bërë thirrje protestuesve që të mos përdorin dhunë.
“Pranë nesh janë vëllezërit tonë, familjarë, invalid, e familjarë të dëshmorëve, Ata të cilët nuk po e ndërpresin seancë, për të vazhduar me takim, me përfaqësim me organizatat nga lufta, e dojnë këtë provokim që ne pa arsye të ndeshemi me policinë e Kosovës”, ka thënë Jashari.
“Andaj, Ju ftoj të jeni të dinjitetshme, dinjiteti i luftës të lavdishme të Kosovës, ne jemi ata që e përfaqësojmë dhe ne duhet ta ruajmë qetësinë sepse policia është e jona dhe objektet janë tona, dhe ata që kanë një qasje të gabuar për UÇk-në, që gjenden brenda, ju bëjmë thirrje të reflektojnë”, ka vijuar ai.
Veteranëve të luftës iu është ofruar një ftesë zyrtare nga Qeveria e Kosovës, për takim të premten në ora 09:00, por kjo pranimi i takimit nuk është konfirmuar nga përfaqësuesit e organizatave të veteranëve.
Ata kanë kërkuar që punimet e Seancës së Kuvendit, të mos vazhdojnë, ndryshe sipas tyre nuk do ta ndalin protestën.















