Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje(LVV) në Prishtinë ka bërë një " title="">reagim duke akuzuar kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama për “pazare”.

Reagimi i Degës së LVV-së në Prishtinë erdhi pas shkarkimit të Drejtoreshës së Pronës dhe Kadastrit, Doruntina Maloku nga ana e kryetarit Rama dhe emërimit të menjëhershëm të një zyrtari të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Sipas tyre, kjo ngjarje nuk është veprim i zakonshëm, pasi që në prapavijë ka interesa e presione.

“Shkarkimi i Doruntina Malokut dhe emërimi i menjëhershëm i një zyrtari të AAK-së në pozitën e saj është dëshmia e radhës se ky pushtet Komunal, i drejtuar nga Përparim Rama, ka vetëm qëllime klienteliste dhe ky vendim është dëshmi e pastër e një pazari politik nga i cili më së shumti rrezikohet e ardhmja e qytetit”.

“As këto pazare nuk do të kalojnë. Interesin e qytetarëve do ta mbrojmë deri në fund, me çdo kusht, çdokund e ndaj të gjithëve”, thuhet në reagim.

Në vijim postimi i plotë i VV-së:

Sot, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shkarkuar nga detyra Drejtoreshën e Pronës dhe Kadastrit, znj. Doruntina Maloku. Kjo ngjarje nuk mund të trajtohet si një veprim i zakonshëm administrativ, sepse prapavija e saj flet për presionet dhe interesat që kanë kapluar Komunën e Prishtinës.

Sipas vetë deklaratës së znj. Maloku, ajo është liruar nga detyra për t’u bërë pjesë e shtabit zgjedhor të LDK-së. Por, zhurma e përplasjes verbale që ka ndodhur sot në ambientet e Komunës së Prishtinës dhe zhvillimet e fundit në qytet tregojnë se arsyet e vërteta lidhen me mospajtimet rreth Planit Zhvillimor Komunal (PZHK).

Shkarkimi i Doruntina Malokut dhe emërimi i menjëhershëm i një zyrtari të AAK-së në pozitën e saj është dëshmia e radhës se ky pushtet Komunal, i drejtuar nga Përparim Rama, ka vetëm qëllime klienteliste dhe ky vendim është dëshmi e pastër e një pazari politik nga i cili më së shumti rrezikohet e ardhmja e qytetit.

Siç kemi deklaruar edhe më parë, së fundmi edhe në konferencën për media në sallën e kuvendit, ka individ edhe brenda LDK-së që po e kundërshtojnë këtë projekt të dëmshëm për qytetin. Pikërisht paralajmërimet tona sot u vërtetuan qartë.

Për shkak të fushatës zgjedhore, është e qartë se LDK-ja do të përpiqet t’i paraqesë këto shkarkime dhe emërime si veprime normale. Por e vërteta është se këto janë manovra për të përmbushur kërkesat dhe presionet që lidhen me interesat klienteliste të kryetarit Rama dhe partnerëve të tij politikë.

Ne ftojmë të gjithë ata zëra, nga të gjitha subjektet politike, që nuk janë nënshtruar ndaj oligarkëve të ngrihen e të flasin, pasi që herët a vonë asnjë përpjekje kriminale klienteliste nuk do të triumfoj përballë drejtësisë.

As këto pazare nuk do të kalojnë. Interesin e qytetarëve do ta mbrojmë deri në fund, me çdo kusht, çdokund e ndaj të gjithëve.