Vetëvendosje dhe ish-opozita pajtohen që nuk po pajtohen
Qëndrimet nuk i ndërruan, veshjen po. Të veshur e rregulluar, secili më mirë se tjetri. Gjithçka ishte përsëritje e seancës së mesjavës. Episodi i 6 i serialit që nuk po kryhet nisi me vrapin e njohur tashmë të deputetit dhe kryetari të Vetëvendosje, Albin Kurtit. Kreu i PDK-së, në sallë hyri me qëndrimi që të […]
Qëndrimet nuk i ndërruan, veshjen po. Të veshur e rregulluar, secili më mirë se tjetri.
Gjithçka ishte përsëritje e seancës së mesjavës.
Episodi i 6 i serialit që nuk po kryhet nisi me vrapin e njohur tashmë të deputetit dhe kryetari të Vetëvendosje, Albin Kurtit.
Kreu i PDK-së, në sallë hyri me qëndrimi që të votojnë kundër, Abdixhiku i heshtur por po me të njëjtin qëndrim, Haradinaj me preferenca për të tjetra kandidate, Limaj optimist për zgjidhje por me votën e tij të njëjtë abstenuese, e deputetja Albulena Haxhiu, erdhi prap me synimin për t’u bërë Kryeparlamentare.
Dështoi, por edhe një herë u zotua se nuk heqë dorë.
“Nëse nuk më doni Kryeparalamentare shkojmë në zgjedhje…”, ka thënë Albulena Haxhiu – Deputete e Vetëvendosjes.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje me vetëdije se nuk i ka më shumë se 57 vota për Albulena Haxhiun, hyri e doli nga seanca e dështuar me të njëjtat qëndrime.
Madje nuk e ndërruan as strategjinë për media.
Fillimisht foli deputeti Hekuran Murati më pas Mimoza Kusari-Lila.
“Në në asnjë moment nuk jemi për të bllokuar formimin e institucioneve. Është paraparë edhe me Kushtetutën e Kosovës që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditën e diel. Mund të jetë edhe nesër. Kjo situatë nuk është që mund të shkojë në pafundësi…doshta opozita po mendon që ata i kanë votat për Qeveri të opozitës. Nëse i kanë votat për Qeverinë atëherë të votojnë”, ka thënë Kusari-Lila.
Pos vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ripërdori për ta fajësuar opozitën e cila nuk po ua mbështetë kandidaten, Kusari-Lila e shfletoi edhe Kushtetutën duke dhënë afate për konstituimin e Kuvendit.
Kusari-Lila po flet për nenin 66 të Kushtetutës por që nuk përputhet me atë çka po pretendon ajo.
Aty thuhet se Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Kësaj radhe nga ish-partitë opozitare kishte më pak deklarime.
“Bllokada e qëllimshme, dhe vjen nga Vetëvendosje sikur të dëshironin zgjidhje kanë pasur mundësi që ta ndërrojnë kandidatin këta nuk kanë shumicë, dhe fakti që nuk i kanë votat dhe Kurti s’mund të bëhet kryeministër po e mbanë këtë situatë”, ka thënë Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
“Nuk mund të bëjmë kompromise për një figurë që për ne është e papranueshme duke pasur parasysh qasjen e saj ndaj vet institucionalizmit dhe shtyllave demokratike të Republikës së Kosovës”, ka thënë nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili.
“Unë po mendoj që nuk ka kërkush naj strategji ose naj taktikë por veç jemi mbet qishtu, kjo është duke shkuar në rrjedhen e vet”, ka thënë deputeti i AAK-së, Bekë Berisha.
Njëra prej pyetjeve që u ngrit nga gazetarët ishte mundësia që Presidentja të ftojë ndonjë takim për konsultime ose të japë ndonjë sugjerim, por që nuk u komentua nga parafolësit.
Në një përgjigje për TV Dukagjini nga Presidenca, thuhet se Osmani u ka ofruar partive mundësinë për takime, duke shprehur gatishmërinë e plotë që kurdo që ata e shohin të nevojshme, ajo mund t’i presë për konsultime. Por që deri më tani asnjë nga partitë nuk ka kërkuar involvimin e Presidentes.
Seanca e 7-të për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, nis të dielën nga ora 10:00 në mëngjes.















