Vetëvendosje pa lëvizje – Drejt fundit afati për zgjedhjen e Presidentit
Ndonëse vazhdimisht nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se do të intensifikojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit, diçka e tillë nuk po shihet publikisht. Pas takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku javën e kaluar, asnjë përpjekje tjetër nuk është bërë. Zyrtarë të Vetëvendosjes […]
Ndonëse vazhdimisht nga Lëvizja Vetëvendosje u tha se do të intensifikojnë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit, diçka e tillë nuk po shihet publikisht.
Pas takimit mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku javën e kaluar, asnjë përpjekje tjetër nuk është bërë.
Zyrtarë të Vetëvendosjes nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e televizionit, se kur do të bëjnë hapin e radhës për takime me krerët opozitar.
Për këtë nuk janë përgjigjur as nga LDK-ja gjatë ditës, ndërkohë nga PDK-ja thanë se nuk ka pasur asnjë lëvizje, prej ftesës së fundit dhe kushteve që ata i kanë vendosur pastaj.
Ndërkohë, deputeti i PDK-së Eman Rrahmani konsideron se zgjidhja e vetme janë zgjedhjet.
“Pas eliminimit politik të Vjosa Osmani nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Guxo, nëse dëshirojmë që vendi t’i kthehet normalitetit dhe të mos kemi autoritarizëm, ku sot çdo gjë kontrollohet nga një person, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Populli le të vendosë nëse dëshiron autoritarizëm, ku gjithçka kontrollohet nga një njeri, apo demokraci parlamentare, ku populli është ai që vendos.”-Eman Rrahmani– Deputet i PDK-së.
Se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme, mendon edhe politologu Albinot Maloku.
“Është nonsens që subjektet parlamentare, opozitare të japin votën për çështjen e presidentit pa një marrëveshje politike. Dhe në këtë rrafsh unë konsideroj që pala pra, subjekti me numrin më të madh në Kuvendin e Republikës së Kosovës subjekti më i madh parlamentar do të duhej ta dinte se pa një marrëveshje politike tani më nuk ka mundësi të ecet përpara. Dhe kjo marrëveshje politike nënkupton në njëfarë sfondi të ndarjen e pozicioneve konkretisht reforma afirmative ndoshta si shpjegim në Qeverinë e Republikës së Kosovës në mënyrë që edhe një subjekt tjetër politik të jetë pjesë e qeverisë.”, ka thënë Albinot Maloku – Analist.
Gjykata Kushtetuese, në vendimin e fundit të marsit tha se ka afat edhe 34 ditë për të zgjedhur presidentin, e që i bie se data e fundit për këtë është 28 prilli, në të kundërtën automatikisht do të mbahen zgjedhjet e parakohshme brenda 45 ditësh.
Para se rasti të përfundonte në Gjykatë, Vetëvendosje propozoi dy kandidatë për President, të dy anëtarë të kësaj partie – nënkryetarin Glauk Konjufca dhe anëtaren e Kryesisë, Fatmire Mullhaxha Kollçaku.
Partitë opozitare kundërshtojnë këtë duke vlerësuar se është e rrezikshme tendenca e Vetëvendosjes që të marr nën menaxhim të gjitha pozitat kryesore në shtet.















