“Vetura e babait u godit nga një plumb qorr në Prishtinë”
“Vetura e babait tim u godit nga një plumb qorr”, kështu ka reaguar qytetari Fatmir Haxholli, i cili e ka shpërndarë në media sociale një imazh të automjetit të dëmtuar të babait të tij, pasi u godit nga një plumb qorr gjatë festimeve. Haxholli bën thirrje për ndalimin e përdorimit të armëve në festa, duke […]
“Vetura e babait tim u godit nga një plumb qorr”, kështu ka reaguar qytetari Fatmir Haxholli, i cili e ka shpërndarë në media sociale një imazh të automjetit të dëmtuar të babait të tij, pasi u godit nga një plumb qorr gjatë festimeve.
Haxholli bën thirrje për ndalimin e përdorimit të armëve në festa, duke theksuar rrezikun e madh që sjell ky veprim.
“Festimi me armë nuk është asgjë tjetër veçse një demonstrim i pakontrolluar i forcës, që sjell pasojat e saj”, shkroi ai në Facebook.
Nga nata e festës së Vitit të Ri janë shënuar disa incidente të rëndë nga përdorimi i armëve dhe i mjeteve piroteknike.
Në Klinikën Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës 24 orët e kaluara janë pranuar 290 raste të ndryshme emergjente, 25 prej tyre janë dëmtime nga përdorimi i mjeteve piroteknike.
Ndër incidentet më të rënda është humbja e dy gishtave të një fëmije, gjthashtu, një person u qëllua me plumb qorr, i cili tani i është nënshtruar një operacioni dhe vazhdon të marrë trajtimin e duhur.
Dr. Avdush Bajgora, mjek kujdestar në QKUK, tërhoqi vëmendjen veçanërisht ndaj katër rasteve të lëndimit të syrit, dy prej tyre rezultat i thërrmijave që dëmtuan kornenën.
Këto incidente tregojnë për rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe përgjegjësinë qytetare për të shmangur dëmtimet që mund të shkaktohen nga sjellje të tilla në festa dhe ngjarje publike, raporton Telegrafi.















