Një automjet rrugën e kaloi, mirëpo, vetura i pësoi shumë dëme.

Në vështirësi të ngjashme, hasën edhe të gjithë ngasësit e tjerë që kaluan nëpër këtë rrugë të vërshuar nga uji në Pestovë të Vushtrrisë.

“Problem sa të duash. Uji më arriti deri në drita. Sa herë që ka të rreshura të shiut pa ndalë ndodhë kështu”, ka deklaruar Izet Maxhuni – Qytetar.

“Prej që e mbaj mend unë, çdo herë që bie shi, këtu rruga bllokohet kështu. Nuk e di ku është problemi, ndoshta tek Sitnica. Ky problem do të zgjidhej nëse do të ndërtohej ndonjë kanal ku do të shkonte uji në Sitnicë, shumë lehtë”, ka thënë Gani Bunjaku – Banor i Pestovës.

Vërshime nga uji kishte edhe në tokat e mbjella të këtij fshati.

“Është një problem jetik sepse çdo vit ndodhë problemi i njëjtë. Tash janë mbjellur kulturat, dëme ka nëpër ara, ky problem duhet sa më shpejtë të zgjidhet nga ministria e Mjedisit, të bëhet pastrimi i lumit Sitnica, të thellohet shtrati i lumit dhe nuk e besoj që do të kemi më probleme”, ka shtuar Gani Salihu – Banor i Pestovës.

Në situatë të njëjtë, janë edhe disa prej fshatrave të tjera të Vushtrrisë.

Kryetari i komunës, Ferit Idrizi, doli të hënën që ta shoh nga afër situatën në lumin Sintinca, i cili sipas tij ka mbërritur nivelin më të lartë të ujit ndonjëherë.

“Ka pasur vërshime, por pa dëme në familje. Janë dëmtuar disa toka bujqësore, të cilat do t’i vlerësojmë pasi që të kaloj kjo situatë emergjente. Tani për tani gjendja është stabile, është e menaxhueshme, nuk është jashtë kontrollit, nuk ka ndonjë arsye për shqetësim të madh, por megjithatë ka arsye për mobilizim”, ka sqarua Ferit Idrizi – Kryetar i Vushtrrisë.

Idrizi ka treguar se kanë në plan që të bëjnë investime në këtë lum, në të cilin gjatë ditës u panë teksa kalonin shumë mbeturina.